Zëvendëkryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz e ka vlerësuar presidenten Osmani si avokaten më të mirë të shtetit në skenën ndërkombëtare, derisa ka thënë se Samiti Inaugurues i Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Pragë është edhe një tavolinë më shumë, ku diskutohet për fatin e kontinentit tonë dhe ku mund të merren vendime të rëndësishme.
Ajo në “RTK Prime” ka thënë se sa më shumë të dëgjohet zëri ynë aq më të favorshme do të jenë vendimet për rajonin tonë.
“Presidentja Osmani jo vetëm në këtë samit por kudo ka treguar një prezencë të jashtëzakonshme. Kemi qenë së bashku në Nju Jork në kuadër të Asamblesë së OKB-së dhe kemi pasur takime të shumta me udhëheqës botëror. Presidentja është avokatja më e mirë e kësaj republike kudo në skenën ndërkombëtare”, ka theksuar ministrja Gërvalla.
Sa i përket asaj nëse Kosovën po e dëmton fakti se në secilin takim me faktorët ndërkombëtar po flitet për dialogun, ajo ka thënë se do të fillonte të shqetësohej nëse dialogu do të ishte tema e vetme në këto takime.
“Dialogu është opsioni më i mirë. Ne kudo e dëshmojmë se dialogu nuk është duke dështuar për shkak të mosangazhimit të institucioneve tona. Madje, institucionet tona kanë pasur propozime reale se si mund të arrihet marrëveshja finale me Serbinë. Por në anën tjetër mungon gatishmëria e palës serbe, e cila nuk është e interesuar për një dialog të mirëfilltë e as për procesin e integrimit evropian”, ka theksuar tutje Gërvalla.