Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha sot se “vendosja e sanksioneve” nga BE-ja ndaj Serbisë në sektorin energjetik, me “kërkesën dhe ultimatumin e qartë” të Kroacisë, do t’i shkaktojë drejtpërdrejt dëme qindra milionë eurove Serbisë dhe qytetarët e saj.
“Bashkimi Evropian i lejoi këto sanksione në dëm të jetës dhe standardeve të të gjithë qytetarëve të Serbisë, përfshirë anëtarët e pakicës kombëtare kroate. Kjo do të na kushtojë qindra miliona euro”, tha Bërnabiq në Tv Happy.
Sipas saj, Kroacia kërkoi sanksionet, “dhe është krenare për këtë”, sepse “Serbia po kërkon të ndëshkojë ata që janë përgjegjës për krimin pranë Bosanski Petrovac në gusht 1995, kur avionët kroatë vranë civilë, duke përfshirë fëmijë”.
“Në mjerimin e tyre, lidershipi kroat as që e fshehu se e bëri. Ky është një akt i hapur i armiqësisë së Kroacisë ndaj Serbisë”, tha Bërnabiq.
Për shkak të këtyre sanksioneve, nafta që vjen përmes Gazsjellësit Adriatik (JANAF), e cila, sipas saj, “është ndërtuar nga Serbia dhe qytetarët e saj në ish-Jugosllavi, me paratë e tyre, do të jetë së paku 20 për qind më e shtrenjtë”.
“Atë që ata mendonin se do t’i bënin Rusisë, na e bënë neve të mërkurën, sepse ne varemi nga tubacioni i naftës nga Kroacia”.
Vendet anëtare të BE-së votuan dje për paketën e tetë të sanksioneve kundër Rusisë, këtë herë që synon kufizimin e çmimit të naftës që Rusia eksporton në vendet e treta jashtë BE-së.
Me insistimin e Kroacisë, i udhëhequr nga kryeministri, Andrej Plenkoviq, në atë paketë do të përfshihet edhe Serbia, sepse nuk do të mund të importojë më naftë ruse përmes gazsjellësit JANAF.
Kjo praktikisht do të thotë se Serbia do të duhet të paguajë naftën e shtrenjtë.