Ia shkatërroi shtëpinë vëllait që gjendet në Gjermani, arrestohet burri në Deçan

Mërgimtarët që jetojnë dhe veprojnë nëpër shtete të ndryshme të botës, investimin më të madh e bëjnë në vendlindje, ku ndërtojnë shtëpi të mëdha e luksoze për të kaluar pushimet vjetore. Por ato jo gjithmonë i gjejnë ashtu si i lënë kur marrin rrugën për t’u kthyer në shtetet ku kanë ndërtuar jetën e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një mërgimtar nga Gjermania, së fundi është tmerruar nga gjendja në të cilën e ka gjetur shtëpinë e tij në fshatin Carrabreg i Epërm në Deçan.

Sinjali mëson se shtëpia bashkë me të gjitha orenditë, është demoluar në tërësi dhe si i dyshuar kryesor për këtë është vëllai i mërgimtarit i cili jeton në Kosovë.

Ankuesi ka denoncuar në Polici vëllain e tij, i cili më pas u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Asgjësim apo dëmtim i pronës’.