Xhavit Haliti pas videos së LVV-së: Rrugaçëve nuk u jap llogari, institucioneve të shtetit po

Lëvizja Vetëvendosje(VV), përmes një videoje në Facebook, ka kritikuar opozitën duke thënë se për 20 vjet rresht në Kosovë kanë qeverisur “shkatërruesit e shtetit”. Për këtë, ka reaguar Xhavit Haliti nga radhët e PDK-së, i cili ka thënë se nuk sheh asnjë projekt të realizuar nga ana e LVV-së përgjatë kohës së qeverisjes së saj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se ai nuk u jep llogari “rrugaçëve”, por vetëm institucioneve të shtetit.

Një reagim i tillë i Halitit vjen pas publikimit të një videoje nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën cilësonte opozitën si “shkatërrues të shtetit”.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Haliti ka thënë se në rast të posedimeve të mendimeve të tilla, të njëjtat, do të duhej të adresoheshin në gjykatë dhe jo përmes rrjetit social, Facebook.

“Të krijohen mendime negative për njerëzit që kanë kontribuuar ose nuk kanë kontribuuar, që kanë shkatërruar shtetin ose që kanë keqpërdorur pozitën nuk gjykohen, përmesFacebook-ut, por denoncohen në prokurori dhe në gjykatë”, ka deklaruar Haliti.