Një ditë pasi u shkarkua nga Kryesia e PDK’së në Klinë, Enver Berisha, i është bashkuar sot AAK’së së Ramush Haradinajt.
Shkarkimi i Berishës nga pozita e nënkryetarit të degës së PDK-së në Klinë, sipas njoftimit të kësaj partie erdhi pasi ai dyshohej se është futur në pazare me AAK, partinë në të cilën aderoi të hënën.
“Pas një debati të gjatë dhe analize të hollësishme, kryesia e Degës së PDK-së në Klinë vendosi që të shkarkoi Enver Berishën nga pozitat udhëheqëse të Degës për arsye se i njëjti kohëve të fundit është futur në negociata e pazare me partinë në pushtet (AAK) për të përfituar personalisht dhe familjarisht pozita udhëheqëse në qeverisjen lokale”, ka njoftuar të dielën PDK’ja në Klinë.
“PDK, Dega në Klinë konsideron se është e drejt e z. Berisha të zhvilloj negociata dhe të përfitoj pozita udhëheqëse personale e familjare nga partia në pushtet por jo duke qenë nënkryetar dhe anëtar i kryesisë së PDK-së”, thuhej në reagim.
Ndërkohë sot, Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj përmes një takimi në selinë e partisë, i ka uruar mirëseardhje në partinë e tij, ish-nënkryetarit të PDK-së në Klinë, Enver Berisha.
“I dëshirova mirëseardhje në shtëpinë e vet, kolegut tonë shumëvjeçar Enver Berisha”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se AAK është e hapur për secilin që beson në orientimin e saj atdhetar.
“Aleanca është e hapur për secilin që beson në vizionin dhe orientimin e saj atdhetar. Kolegët nga komuna e Klinës, që janë shembull për qeverisjen lokale në vend, i falënderova për kontributin dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm”, ka përfunduar Haradinaj.