Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka komentuar dënimin e ish-krerëve të OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, nga Gjykata Speciale.
Konjufca i ka quajtur shumë të larta këto dënime, ndërsa ka shtuar se beson që apeli do ta rrëzojë këtë dënim.
“Besoj që apeli do ta rrëzojë këtë dënim shumë të lartë për zotëri Haradinajn dhe zotëri Gucati”, tha ai në RTK.
Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.
“Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtorë për: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e veprimeve zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi, frikësim sipas procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës të zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, tha gjykatësi Charles Smith III.
Gucati dhe Haradinaj u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes.
Prokurori i Specializuar, Jack Smith, tha se Gucati dhe Haradinaj janë shpallur fajtorë për krimet e tyre, “pas një gjykimi transparent, të kujdesshëm dhe të drejtë”.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë fuqishëm hetimet dhe ndjekjen penale të të gjitha akteve të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë… Nëse përpiqeni të frikësoni apo të hakmerreni ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, unë do të bëj gjithçka që është në pushtetin tim dhe të sigurohem që ju të dilni përpara drejtësisë”, tha ai.
Ekipet mbrojtëse të Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit konfirmuan për gazetarët se do të apelojnë aktgjykimin dënues për dy të akuzuarit, shqiptuar më 18 maj nga Dhomat e Specializuara në Hagë.