Pavarësisht largimit të deputetes Doarsa Kica-Xhelili nga LVV dhe daljes në pah të disa pakënaqësive tjera brenda LVV-së, analistët nuk shohin angazhim të mjaftueshëm nga opozita për të rrëzuar qeverinë.
Analisti Ylli Hoxha në RTV Dukagjini thotë se Kurti është ai që do të vendos nëse nuk do të jetë më kryeministër, pasi sipas tij gjasat për një presion ndërkombëtarë për rrëzimin e qeverisë janë të vogla.
“E vetmja mënyrë që të bie kjo Qeveri, është që Kurti ta rrëzojë veten. Pra vetëm nëse Kurti vendos vet të mos jetë më në krye të ekzekutivit. Edhe një gjë mund të ndodh por që nuk e besoj, është një presion i jashtëm në lidhje me procesin e dialogut. Pra nëse kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare trashet deri në atë pikë që zoti Kurti nuk është në gjendje që ta përtypë dhe japë dorëheqje”.
Dibran Hoxha nga shoqëria civilë e thotë se nuk po shihen indikacione që Kurti mund ta rrëzojë veten.
“Një lloj manifestimi i frikës dhe paraqitja apokaliptike e situatës nga ajo që kemi parë në të kaluarën se “krejt janë bërë kundër meje” nuk do të funksionojë më. Kosova dhe votuesi i saj ka dëshmua emancipim të lartë politik”.
Hoxha thotë se shoqëria duhet të mobilizohet që qeveria nuk duhet të bie për të përmbushur pritjet dhe premtimet që ka dhënë kjo Qeveri.
Edhe Dardan Gashi thotë se kjo qeveri duhet të vazhdojë mandatin deri në fund.
“Fitores Kurti i ka thënë referendum. Atij duhet dhënë hapësira të realizojë pritjet që ua ka dhënë qytetarëve”.
Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se qeveria ka provuar vazhdimisht të gjejë fajtorë për mos realizimin e premtimeve gjatë kësaj periudhe qeverisjeje.
“Pritjet e qytetarëve nuk janë krijua vetvetiu. Ato i ka ndërtuar Albin Kurti. Çdo qeveri do të duhej ta vazhdojë mandatin për katër vite për shumë arsye. Nëse Kurti do ta rrëzonte veten për arsye të ndryshme, do të duhej ta mat vetën mirë se si do të përfundonte kjo punë. Por kjo opozitë nuk është e interesuar ta merr pushtetin në këtë kohë. Edhe po t’ia ofronin qeverinë do të refuzonin për shkak të problemeve të mëdha që po i ndodhin Kosovës e botës”, deklaroi Mushkolaj.
Astrit Gashi thotë se nuk është e ndershme që partitë opozitare konstatojnë keq qeverisje e nga ana tjetër nuk e duan rrëzimin e qeverisë.
“Nuk shohë se ka dëshirë, urgjencë apo nevojë të Kurtit për të provokuar zgjedhje. Sot për sot së paku nuk shoh vullnet. Por as opozita nuk ka vullnet ta rrëzojë Qeverinë deri në fund të mandatit. Por edhe kjo nuk është se e bëjnë për të mirë të vendit por për qëllime djallëzore. Opozita llogarit se një pjesë e bindjeve të qytetarëve do të dalin të gabuara. Shembull dikush që punon në sektorin privat me 300 euro, me ndërrimin e qeverisë ka prit se futet në publik dhe merr 500 euro rrogë. Ai do të zhgënjehet vetvetiu. Disa iluzione i kane futur analistët, disa iluzione tjera vet LVV. Këto iluzione bien që sa më gjatë qëndron në pushtet Kurti”, deklaroi Astrit Gashi.
Ndryshe, gjatë muajit të fundit deputetja e grupit të LVV-së Doarsa Kica-Xhelili ka kaluar në LDK, derisa disa deputetë të tjerë kanë shprehur pakënaqësi nga zhvillimet e brendshme në LVV./Telegrafi/