Para disa javësh, Ramë Buja dha dorëheqje nga kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo është hera e dytë që Buja jep dorëheqje nga kryesia e PDK-së, pasi të njëjtin veprim e kishte bërë edhe në kohën kur Kryetar i PDK-së ishte Kadri Veseli, ish shef i SHIK-ut, tani i akuzuar në Hagë nga Gjykata Speciale.
E sikur të mos mjaftonte kjo, në PDK ka filluar një përçarje e madhe. Dëshmi për këtë është edhe sulmi që ish këshilltari i Kadri Veselit, Nijazi Kryeziu bëri ndaj kreut aktual të PDK-së, Memli Krasniqi.
“Nuk është Ramë Buja kafshatë që kapërdihet me heshtje. Mos mendo që mund ta injorosh krejt anëtarësinë e partisë, organet drejtuese e vlerat patriotike, çlirimtare e shtetformuese, duke i zëvendësuar me gjysmën e klasës së gjimnazit ‘Xhevdet Doda’, që i njeh, në Prishtinën që asnjëherë nuk i keni fituar asnjë palë zgjedhje, bile as në një lagje të vetme në Prishtinë. Me ata që dalin në zgjedhje dhe nuk përdorin as llogo as emblemë e sllogan të partisë, që kurrë nuk e përmendin as UÇK-në, as PDK-në! Demokratët i ke pas vete në çdo rrethanë dhe kanë nevojë më shumë se kurrë për lider, e liderët nuk janë vetëm për fotografi e ngjarje të mira!”. Partinë Demokratike e ke degdisur si të ishte OJQ e regjistruar pa statut, pa program e pa organe vendimmarrëse! Thirri gratë, burrat e rininë e partisë, të ulen e të diskutojnë, prej debatit nuk ke kurrë të keqe. E keni plandosur PDK në, e keni tkurrur, e keni lënë vëzhguese edhe në taborrin e opozitës”, ka shkruar ndër tjerash Njazi Kryeizu në reagimin drejtuar Memli Krasniqit.
Por nuk ka mjaftuar me kaq. Me kritika të ashpra drejt udhëheqjes së partisë ka vazhduar edhe deputetja e kësaj partie, Ganimete Musliu, e cila ka thënë se brenda PDK-së ka individë që kanë tendencë për të kontrolluar gjithçka.
“Secili që merr mundin dhe e analizon këtë Konventë, e që vetëm Konventë nuk mund të quhet, padyshim vjen në përfundim se në asnjë rrethanë nuk mund të mohohet tendenca e disa individëve për të kontrolluar gjithçka dhe për të përjashtuar çdo gjë që nuk ju shkon atyre për shtati. Kjo mënyrë e qasjes ndaj aktivisteve më të hershme dhe më të devotshme të PDK-së do të bëhet pengesa më e madhe dhe më shkatërruese për çdo kauzë në të ardhmen; Jo vetëm asaj të Vajzave dhe Grave. Nuk e shoh të arsyeshe të bëhëm numër në një konventë e cila nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme kundër padrejtësive që po u bëhen ish liderëve dhe ish themeluesve, krenarisë së PDK-së dhe të Kosovës Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
PDK-ja ka shkelqyer me heshtje në këtë drejtim duke krijuar huti dhe pasiguri në elektoratDo të qëndroj fuqishëm në PDK dhe do të vazhdoj të bëj opozitë të fortë kundër partisë në pushtet, por do të vazhdoj të bëjë opozitë edhe ndaj dukurive shkatërruese brenda Partisë sonë. Do të përpiqem të jem zëri i atyre që nuk dëgjohen në PDK. Këtë ua kam borxh të gjithë atyre që Partinë Demokratike e duan dhe e mbështesin në çdo kohë dhe në çdo rrethanë”, ka thënë ndër tjerash deputetja PDK-së, Ganimete Musliu.
E për situatën e krijuar në PDK dhe tensionet e krijuara në këtë parti, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.
“Në PDK është një vullkan që pritet të shpërthej nga çasti në çast, në veçanti nëse dënohen me burg Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Ka shumë ambicie brenda PDK, mirëpo hezitojnë të shfaqën nga frika mos lirohen Hashimi dhe Kadriu, pastaj do mbesin askund nga peshë e ish liderëve brenda partisë”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.
Sipas tij, brenda PDK-së ekzistojnë tri grupacione të mëdha.
“E kam theksuar disa herë dhe po e përsëris, PDK ka shumë grupacione të saja e që kryesorja janë tri: grupacioni Thaçit, Veselit dhe i të ashtuquajturve “gjenerata e re””, shprehet analisti Mehmeti.
Më tej, ai thotë se priten largime të mëdha nga PDK, pasi Ramë Buja nuk është i vetmi i cili do të largohet.
“Fërkimet janë të shumta, para pak ditësh dha dorëheqje Ramë Buja, prit edhe largime të tjera. Do të ketë largime spontane, mirëpo pres që ndarja zyrtare e madhe të ndodh nëse do të dënohen Hashimi dhe Kadriu, deri atëherë vullkani do rritet për të shpërthyer”, thekson Mehmeti.
“Në të tashmen, PDK s’mund të vjen në pushtet me Memlin, presioni mbi të cilin do të rritet me kalimin e kohës. Memli, nuk ka asnjë meritë apo karizëm për të quar para PDK, edhe për “meritë” të së shkuarës jo të lavdishme”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.