Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill ka deklaruar se SHBA-të mbështesin Bashkimin Europian në përpjekjet për të arritur një zgjidhje në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ky problem ka shkuar gjatë dhe duhet zgjidhur.
“Ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë dhe është koha për përparim”, u tha Hill gazetarëve në Forumin Rajonal për Evropë dhe Euroazi në Beograd.
Ambasadori amerikan nuk ka komentuar planin e pretenduar për kornizën e re të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë që është hartuar me angazhimin e të dërguarve gjermanë dhe francezë.
“Nuk më takon mua të komentoj propozimet, përveçse të them se SHBA-ja mbështet BE-në e cila po përpiqet shumë të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë dhe kjo nuk është e lehtë”, tha Hill.
Pretendimet për një kornizë të re të dialogut në Bruksel i plasoi në publik për herë të parë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ndërsa përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak u shpreh i befasuar nga njoftime të tilla.