Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Vesterlund, ka deklaruar tetorin si afatin e fundit kur do të shqyrtohet çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, raporton Reporters.
“Para disa ditësh kam takuar sportistë, drejtues sportivë, të cilët për shkak të problemeve të vizave nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit, nuk marrin pjesë në turne, nuk i çojnë dot studentët jashtë. Pra, kjo është diçka që duhet të adresojmë. Kjo po diskutohet në Bruksel, në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Ndjej se ka shumë vrull për këtë çështje.
Por duhet të dini gjithashtu se pak ditë më parë kishim zgjedhje. Qeveria ka dhënë dorëheqje dhe kryetari i Kuvendit do të japë mandatin për formimin e qeverisë së re, kështu që ende nuk kemi qëndrim për këtë. Pra, duhet të presim edhe disa javë, por, siç thashë, është diçka që duhet adresuar dhe është momenti i duhur rreth kësaj çështjeje në Bruksel”, tha ai.
Ai ka thënë se do të ketë një rishikim të situatës në mes të tetorit, pasi që Kosova është konfirmuar se i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim.
“Mendoj se të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me vizat janë të komplikuara dhe shumë teknike. Ekziston një grup në Bruksel që quhet Komiteti Plus. Ata duhet të hyjnë në të gjitha detajet dhe ka një rishikim, i cili do të vijë në javët e ardhshme. Pason një pasqyrë e situatës dhe do të shohim se çfarë konkluzione do të nxjerrë ky auditim dhe çfarë bisedash do të kemi në mes të tetorit në Bruksel”, tha ai.