Dokumentar: Nga CIA dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, dokumentet shfajësuese që Prokuroria Speciale i mbajti fshehtë

Avokati amerikan Gregory Kehoe, i cili mbron ish Presidentin Hashim Thaçi, në një seancë gjatë shkurtit të këtij viti, u pa në kulmin e frustrimit, pasi kishte zbuluar se Prokuroria Speciale kishte mbajtur të fshehta disa prova shfajësuese për të akuzuarit – mes të cilave edhe ajo e dhënë nga ish diplomatit i lartë i OSBE-së, Dan Everts.

Everts, që ka shërbyer në Kosovë menjëherë pas luftës, mes tjerash, i kishte thënë Prokurorisë se veprimtaritë kriminale, pas qershorit të vitit 1999, janë kryer nga individë që kërkonin një rast për përfitime personale, e nuk ishin pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqja shqiptare.

“Asgjë nga kjo nuk na u dorëzua teksa po i shtjellonim dhe diskutonim provat. Asgjë nga kjo nuk i është dhënë shkëlqesisë suaj. Asgjë. Dhe ata e kishin këtë informacion për katër vjet. Dhe Prokurori Special supozohet se e kërkon të vërtetën. E megjithatë, shkëlqesia juaj kurrë nuk e kishit këtë dokument.Ai, madje, nuk ju tha as juve se provat që kishin në posedim – dëshmojnë se ata nuk janë fajtorë, se ka një dyshim të arsyeshëm për të gjitha këto.Por, po i mbajnë në burg pafundësisht”, ka deklaruar Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe.

“Pjesa tjetër e dëshmitarëve të OSBE-së, që ata mendojnë se përbëjnë prova fajësuese, u dorëzuan.U dorëzuan në gusht 2021. Të vetmin që lanë jashtë ishte ai.Pse?Pse e lanë jashtë?”, është shprehur Kehoe.

Prokuroria është akuzuar se ka mbajtur të fshehtë një letër të Departamentit Amerikan të Shtetit, e datës 4 maj 1999, në të cilën thuhet se nuk kishte strukturë politike ose komandë dhe kontroll efikas të UÇK-së.

I fshehur ishte mbajtur edhe një raport i CIA-s, i janarit të vitit 2000, në të cilin thuhej se UÇK-ja nuk kishte kryer akte terroriste kundër caqeve civile.

Në një dokumentar në Emisionin Opinion të Blendi Fevziut, i titulluar “Devijimi Special” është zbuluar saktë se çfarë shkruhej në këto letra.

Letra e Departamentit Amerikan të Shtetit:

“Për më tepër, pasi nuk ka strukturë politike në Kosovë ose komandë dhe kontroll efektiv të UÇK-së, do të duheshin shumë muaj, nëse jo vite, për t’i organizuar ata që të përdorin dhe mirëmbajnë çdo ndihmë ushtarake që Shtetet e Bashkuara do të ofronin”.

Raporti i CIA-s:

“Udhëheqja e UÇK-së nuk duket të jetë përfshirë në operacione të drogës për të mbështetur aktivitetet e saj gjatë luftës…”

“UÇK-ja nuk ishte e përfshirë në aktivitete t erroriste – të përcaktuara si dhunë e paramenduar, e motivuar politikisht, e ushtruar kundër caqeve civile”.

Fshehja e provave shfajësuese është konsideruar me pasoja të rënda dhe shkelje e të drejtave të njeriut, ndërsa mbrojtja ka kërkuar në procesin e shpalosjes së materialeve dhe dëshmive të instalohet një mbikëqyrje e pavarur.

“Kjo çështje ka pasoja të rënda. Ka implikime që janë më të gjera se këto procedura, më të gjera se Dhomat e Specializuara. Implikimet janë të tilla që thyejnë, tundin themelet e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë. Prokuroria ka tradhtuar detyrën e saj për të sjellë të vërtetën”.

“Në vend që t’i lënë faktet të çojnë drejt përfundimit, ata kanë vendosur t’i lakojnë faktet për qëllimet e tyre të dëshiruara. Tani, nëse mendoni për këtë, kjo është shkelje e të drejtave të njeriut”, ka thënë avokati Pierre Prosper, që poashtu është pjesë e ekipit mbrojtës të ish Presidentit Hashim Thaçi.

Sipas avokatit kosovar, Artan Qerkini, nëse Prokuroria ka bërë një gjë të tillë, atëherë nuk bëhet fjalë për gjykim të drejtë.

“Prokuroria në fazën e hetimeve vepron si organ shtetëror dhe mbrojtja nuk i ka ato mjete në dispozicion që i ka prokuroria. Për këtë arsye është parashikuar me ligj që prokuroria të mbledhë edhe prova shfajësuese, sepse aty ku ka qasje prokuroria nuk ka qasje mbrojtja. Dhe nëse prokuroria nuk e ka bërë një gjë të tillë, atëherë nuk mund të flasim për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, shprehet ai. /Opinion.al