Shiste lule në trotuar për librat e shkollës / Kevin Qoku, 11 vjeç, shpallet “HEROI I MUAJIT GUSHT”!

“Heroi i muajit Gusht” shpallet Kevin Qoku, 11 vjeç, i cili sakrifikon fëmijërinë e tij, duke punuar sadopak për të siguruar para për librat e shkollës dhe familjen e tij. Kevin zgjidhet nga shqiptarët si heroi i vetvetes dhe familjes duke dhënë shembullin e sakrificës dhe punës së ndershme për të arritur qëllimet në jetë.

Kevini i vogël ka fituar me më shumë se 6300 vota në ‘garën’ me kandidatët e tjerë për heronj të muajit. Ai është votuar nga shqiptarët në faqen e JOQ ALBANIA si heroi i muajit gusht.

Kevini ishte në listë me heronjtë e tjerë, si kamerierin Leli Alushaj dhe dy rojet bregdetare, Andin në Sarandë dhe Robert Neçajn në Shëngjin.

11-vjeçari u filmua teksa shiste lule në trotuarin e Tiranës, për të siguruar para për familjen dhe për librat e shkollës. Ky gjest e ka bërë Kevinin të kthehet në një frymëzim për të gjithë ata që ende nuk kanë filluar të punojnë për vetveten.

JOQ ALBANIA premton se kjo nismë e heronjve do të vazhdojë për muaj me radhë dhe nga dita në ditë mirëpret heronj të jetës së përditshme, që mund të kthehen në heronj frymëzimi dhe motivimi.