Qasja e Grenell ndaj Kurtit, Bolton: Kritika personale nuk e ndihmon procesin për askënd

Ish-Këshilltari për Siguri Kombëtare i ShBA-së, John Bolton, ka komentuar qasjen e ish të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk mendoj se ndihmon të kritikosh në publik liderët politikë të cilësdo palë në mosmarrëveshje. Mund të ketë arsye taktike për ta bërë këtë, por fakti është se të dyja palët duhet të bien dakord për të arritur marrëveshje. Kjo është mënyra se si funksionon”, ka thënë Bolton gjatë një interviste për KlanKosova.tv.

“Pra, qasja ime diplomatike është gjithmonë të shoh se çfarë mund të bëhet pa komentuar publikisht, përveç nëse ka ndonjë qëllim legjitim për t’i shërbyer. Por kritika personale nuk mendoj se e ndihmon procesin për askënd”.

Ai është pyetur edhe për akuzat ndaj Grenell se paguhet nga Beogadi për të lobuar për Serbinë.

“Nuk e di se nga po i merr të ardhurat ai. Unë nuk marr para nga asnjë burim i huaj. Nuk është thjesht një gjë e sigurt dhe e kujdesshme që dikush si unë ta bëjë një gjë të tillë. Unë mendoj se ka shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara që shpresojnë në mënyrë legjitime se mund të luajnë një rol mes palëve, nëse u përshtatet palëve të na kërkojnë të përpiqemi dhe të gjejmë mënyra për të kapërcyer dallimet dhe për të arritur në një zgjidhje të kënaqshme reciproke”, është shprehur ai, duke folur për mundësitë e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe palët e përfshira në proces.

Këtu nuk ka asnjë zgjidhje të imponuar që do të funksionojë dhe askush nga jashtë nuk mund të dëshirojë paqe më shumë se vetë palët. Kështu që unë mendoj se shumë njerëz këtu, qoftë qytetarë, apo që janë në qeveri, do të donin të bënin atë që mundnin për të ndihmuar, dhe ne presim të dëgjojmë nga njerëzit e Ballkanit.