Njohësit e politikës thonë se vendi shkon në zgjedhje nëse s’bëhet asociacioni

Shefi i ekzekutivit ka thënë se reciprociteti do të jetë aktiv, derisa Kosova dhe Serbia nuk arrijnë marrëveshjen finale.

Kryeministri Kurti ka ftuar liderët e partive opozitare në takim, derisa ka pasur kritika edhe ndaj mediave. Nga ana tjetër, njohës të zhvillimeve politike i kanë kërkuar institucioneve të vendit që të formojnë asociacionin, duke shprehur drojën se mosrespektimi i i kësaj marrëveshjes rrezikon ta qoj vendin në zgjedhje.

Një ditë pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, për heqjen të plotë të pengesave për lirinë e lëvizjes së kosovarëve në shtetin serb, reagimet e urimet për këtë marrëveshje, kaluan kufijtë vendor.

Kryeministri Albin Kurti pos urimit në facebook, për marrëveshjen, ka folur gjatë së dielës.

I pari i ekzekutivit ka thënë se reciprociteti do të jetë në tavolinë, derisa Kosova e Serbia nuk arrijnë marrëveshjen finale.

Shefi i qeverisë ka ftuar opozitën për të bashkëpunuar rreth kësaj çështje.

Kurti është marrë edhe me mediat, teksa ka thënë se po bëhen investime në keqinformim dhe në përçarje e çoroditje të opinionit publik, derisa ka shtuar se ka edhe njerëz dhe ndonjë kanal medial në Kosovë që interesim medial e ka që të besohet më shumë lajmi me origjinë nga Beogradi sesa lajmi me origjinë nga Prishtina.

Ai ka deklaruar se komunikimi i tij me mediat do të jetë vetëm për çështje që kanë të bëjnë me interesin e Kosovës.

Ndërkohë, njohës të zhvillimeve politike i kanë bërë thirrje shefit të ekzekutivit që të përqendrohet në arritjen e marrëveshjes për asociacionin, pasi bllokimi i saj, mund ta dërgoj vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Por nga shteti fqinj janë dhënë sinjale se nuk do të respektohet marrëveshja për targat.

Ka qenë shefi i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se Serbia është në pritje të vazhdimit të bisedimeve për çështjen e targave, derisa ka thënë se ata nuk do të heqin dorë nga përdorimin i targave me akronimet KM dhe të tjera që janë përdorur para luftës. /Gazeta10