Këshilltari i kryeministrit Kurti, Hysamedin Feraj, ka vazhduar një debat të nisur me ish-kryeministrin Avdullah Hoti.
Ky i fundit në një postim paraprak i ka përmendur Ferajt rastin kur nderonte ish-diktatorin, Enver Hoxha.
“Ata që gjithë jetën nuk kanë guxuar as të mendojnë pa marrë urdhër, e janë betuar për zbatim të urdhrave edhe para padronit të tyre të vdekur, kujtojnë se të gjithë janë si ata – relikte të së kaluarës të dhimbshme për popullin shqiptar dhe robë në mendje e shpirt. Paguhen nga taksat e qytetarëve, e merren me shpifje e konspiracione ndaj kundërshtarëve politikë”, kishte thënë Hoti.
Kësaj deklarate i është përgjigjur Ferja, i cili tha se projekti i tij për rënie të Jugosllavisë dhe pavarësi të Kosovës i është plotësuar.
“Avdullah Hoti, dje i paske kënaqur titistët, dhe sidomos rankoviçistët duke iu dhënë rast sulmi kundër “enveristëve” të Kosovës, si puna ime e atëhershme, pse kërkonim pavarësi nga Jugosllavia dhe bashkim me Shqipërinë. Si në kohët e vjetra, apo jo Abdullah? Ke të drejtë, sepse kanë nevojë për ngushëllim: gjysma e projektit tim është realizuar – rënia e RSFJ-së dhe Pavarësia e Kosovës. Shpejt do të realizohet edhe gjysma tjetër. Projekti i tyre ka dështuar, i imi ka fituar! Madje edhe përkundër politikës së Enver Hoxhës”.
Feraj në kundërpërgjigje i ka përmendur me ironi Hotit edhe rastin kur i është përgjigjur në serbisht presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim në Bruksel, kur ai e kishte pyetur nëse kupton serbisht.
“Apo ky i fundit ka pasur për ideologji nacionalizmin shqiptar dhe për ide drejtuese bashkimit tonë kombëtar? Si thua, Avdullah, si akademik? Razumeš?”.
Këto replika nisën kur Feraj në një status Facebook-u tha se Avdullah Hoti ka përgënjeshtruar ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, i cili tha se vendimet e Qeverisë së Kosovës janë në koordinim me ndërkombëtarët.
“Ky kishte thënë dje se pati koordinim me ndërkombëtarët për reciprocitetin dhe për targat. Hoti, duke e demantuar qëndrimin e ambasadorit amerikan, ka deklaruar sot se nuk pati koordinim ndërkombëtar. Dhe, si akademik, Avdullah Hoti thotë gjithmonë të vertetën dhe vetëm të vërtetën. Deri kur Grenelli ta urdhërojë për të kundërtën”.