Deputeti belg e bën për ‘pesë pare’ Marta Kos për Kosovën

Deputeti belg, Michel De Maegd i ka kërkuar lloagari komisioneres për Zgjerim të Bashkimit Europian, Marta Kos lidhur me skandalin e së dielës, ku tingujt e një kënge nacionaliste serbe për Kosovën u luajtën në koncertin zyrtar të hapjes së Forumit për Zgjerim në Bruksel.

 

De Maegd e quajti atë një gafë që rihapi plagët e kosovarëve.

“Të dielën në mbrëmje, gjatë Forumit Europian për Zgjerimin në Bruksel, u luajt një him nacionalist serb, i lidhur me pretendimet territoriale ndaj Kosovës, para përfaqësuesve europianë. Një gafë thellësisht e keqardhshme, e cila rihap plagët e një populli”, tha ai.

 

“Në vitin 1999, kalova tre muaj në Kosovë si reporter lufte. Përjetova krah popullsisë së saj represionin e regjimit të Millosheviqit, bombardimet, spastrimin etnik, mijëra të vrarët dhe qindra mijëra refugjatët. Këto pamje dhe këto vuajtje nuk do t’i harroj kurrë”, shtoi deputeti belg.

Ai iu drejtua zyrtares së lartë europiane, duke e pyetur se si u bë kjo.

“Si ka mundur që një përzgjedhje e tillë muzikore t’i ketë shpëtuar vëmendjes së organizatorëve? Dhe, mbi të gjitha, a nuk do të ishte e drejtë që t’i kërkohej falje zyrtare popullit kosovar?”, pyeti ai.

Kos, siç tregoi vetë deputeti belg, pranoi se “shërbimet e saj” miratuan pjesët muzikore që u luajtën dhe tha se këtë ia ka sqaruar personalisht edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Komisarja pranoi se pjesët muzikore të luajtura nuk ishin miratuar nga shërbimet e saj. Ajo shprehu keqardhjen e saj të thellë, duke sqaruar se ia kishte përcjellë personalisht ato kryeministrit kosovar. Ajo gjithashtu rikonfirmoi mbështetjen politike dhe financiare të Bashkimit Europian për Kosovën, me këtë deklaratë të fortë: ‘A mund ta imagjinoni që do t’i integrojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por jo Kosovën? Kjo nuk është e mundur’”, tregoi De Maegd.

“I marr parasysh këto fjalë dhe këtë zotim. Sepse duke e harruar historinë, e aq më pak duke e mohuar atë, nuk do ta ndërtojmë paqen. Këtë do ta bëjmë duke pasur guximin ta shohim atë në sy dhe ta tejkalojmë”, shkroi ai në një postim në Facebook.