Aktori Çun Lajçi ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama, pas protestave të dhunshme në Shqipëri, duke i bërë thirrje të dëgjojë qytetarët dhe të reflektojë për situatën në vend.
Në reagimin e tij, Lajçi ka kritikuar përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve, dëmtimet gjatë protestës dhe gjendjen e të rinjve që kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Ai ka përdorur gjuhë të fortë ndaj Ramës, duke i kërkuar të largohet nga pushteti.
Shkrimi pa ndërhyrje:
Ti që tallësh me popullin!
Ndëgjoje nxanësin, studentin, nanën që pret t’i kthehet i biri i papërgjakun! Zbrit nga kali e kthehu andej nga ke ardhë, se boll e shite atdheun!
U sos toka e u shterr deti!
– Advertisement –
Kështu shkrova dje, e kështu po shkruej sot.
Pardje u dogj jorgani, dje u dogj edhe shtrati. Mos prit me t’u djegë edhe këmisha në shtat, se ti s’e ke lëkurën të regjun si fëmijët e sokakut, që dalin në rrugë e s’e dinë a kanë me u kthye.
Pse pret, e çka pret, kur e sheh qytetin në flakë? Kur e sheh ardhmëninë e atdheut tue ta thirrë emnin për dorëzim, të mbytun prej gazit lotsjellës? Kur e sheh nji vajzë studente në lot, që babën e nanën i ka jashtë atdheut, e prapëseprapë e ka lidhë andrrën me rrënjët stërgjyshore, me mbetë këtu, në tokën e vet?
Se ka njerëz, o babëzi, që e duen Shqipninë sa lëkurën e vet!
E ti tallesh me punëtorët e kopshteve, ua zgjat dorën pa nji buzëqeshje, se buzëqeshja t’asht ngri që dje, pardje e sa ditë e net përpara.
Ndëgjoje vajzën e re! Shihja lotët! E n’paç zemër — se ti e ke humbë zemrën e mendjen qysh kur hundët t’u pluhunosën — mblidhi kambët e kthehu në Kaiserstraße, atje ku të pashë dikur tue ecë kokëulun, kur Kosova po digjej prej shkaut e kosovarët po priteshin si vllazën në Shqipni.
Mos e djeg Tiranën, se s’je Neroni! As fëmijët tanë s’janë piromanë. Janë bimë të shëndosha, pa krimba, që duruen, duruen, derisa u ba boll e bërtitën:
— Po e djegim paranë e drogës, të hajnisë, të kurvnisë, të marres sate e të shokëve tu, që djersën e popullit e ngritët në kulla krimi!
Nuk ta vrau ndërgjegjën kjo thirrje?
Çka ke me i thanë Bashkimit Evropian?
Çka ke me i thanë zonjës Meloni kur të biesh në gjunjë para saj?
Çka ke me i thanë Vuçiqit?
Se na jemi çmendë? Se jemi njerëz me bishta? Se Veriu i Kosovës asht tokë e askujt?
Sylejman Vokshi, kur u dënue me vdekje, sipas fjalëve që i kanë mbetë kujtesës sonë, iu drejtue Tursun Beut:
— Do t’ju shtihen në andrra Mic Sokoli e Sef Kosharja, e sa e sa të tjerë…
Ashtu kanë me t’u shfaqë në andrra edhe ty: ajo vajzë që qante për fatin e vet, ai student me kambën e thyeme që hiqej zvarrë, bankat e thyeme, sendet e djeguna, rrugët e shkatërrueme… Krejt ato që sot po i sheh e prapë s’po don me i kuptue.
Të vdekunit kanë me ta ba natën andërr e ditën ferr, o Tursun Bej!
Kështu fliste historia dikur. E sot po ta përsërit rruga!
Kryeministër i rrugëve të shkatërrueme e i koshave të djegun ke me mbetë, por kurrë Kryeministër i atdheut të shqipeve, o zemërzi e hundëpluhun i bardhë!
Ik në bunkerin e Xhaxhit e struku si struci, n’paç akoma tru, se, tu shkundë pluhuni, mbete asgja!
T’u kanë përzi flamujt!
S’po dihet kush po e mban atë me tri shkronja e kush atë tjetrin, me Isën e Ismajlin.
E fute serbin, grekun e bugarin n’atdheun e shqipeve, për interesat tua, e tash duroje edhe shqipfolësin, edhe kriminelin, se rruazat e pejtë laraman në byzylykun e dorës s’kanë me t’ndihmue me i mbulue gjynahet, more tutkun i shkundun!
16.10.2026