Arrihet marrëveshja VV-PDK?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka takuar sërish këtë të diel Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, merr vesh VOX Kosova.

 

Tema e këtij takimi thuhet të jetë marrëveshja për një deklaratë e përbashkët që ka të bëjë me aktgjykimin skandaloz të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por, është mbajtur një ditë para seancës së Kuvendit ku priten të betohen deputetët e rinj dhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së.

 

Po ashtu, në seancën e së hënës pritet që të miratohet edhe një deklaratë e përbashkët që ka të bëjë me aktgjykimin skandaloz të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në deklaratë ngriten shqetësime për procesin gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së dhe kundërshtohet aktgjykimi.

Në pikën e 7, parashihet ndërmarrja e veprimeve nga Kuvendi, ndër të cilat edhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara – e inicuar nga PDK-ja.

“Zotohet të ndërmarrë veprime brenda kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, përfshirë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe në përputhje me qëllimin për të cilin janë themeluar këto institucione”, thuhet në pikën 7.

Takimi i Kurtit me Hamzën vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila, ndonëse tha se janë shkelur afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4 konstatoi se nuk është në shkelje të Kushtetutës dhe i dha afat Kuvendit deri më 6 tetor që të zgjedh Presidentin.

Të premten, Hamza paralajmëroi përshtatje të qëndrimeve të PDK-së për çështjen e Presidentit pas vendimit të Hagës.

Kurti dhe Hamza ishin takuar edhe më 17 shtator, një ditë pas vendimit të Speciales ndaj krerëve të UÇK-së.