E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë
Lëvizja Kombëtare Shqiptare, sidomos periudha e njohur në histori me emrin Rilindja Kombëtare Shqiptare, e cila synonte të grumbullonte mbarë trojet shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar, në fillim në nivelin e një vilajeti të bashkuar autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane, pastaj të një shteti autonom nën sovranitetin apo suzeranitetin e sulltanit turk, më në fund në një shtet kombëtar krejtësisht të pavarur, përfshiu edhe viset shqiptare, që sot bëjnë pjesë në Republikën e Maqedonisë, shkruante akademiku Kristo Frashëri.
Siç dihet, Lëvizja Kombëtare Rilindëse u zhvillua në disa drejtime – herë si lëvizje e armatosur kundër reformave administrative të Perandorisë Osmane, herë si lëvizje politike për bashkimin e trojeve shqiptare në një njësi të vetme administrative, herë si lëvizje për të fituar të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare shqipe, herë si lëvizje për të sanksionuar në arenën ndërkombëtare njohjen e shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësia fetare si një kombësi e vetme dhe herë si lëvizje për të kundërshtuar copëtimin e trojeve shqiptare nga pretendimet e monarkive fqinje.
Faktori kryesor që pengonte realizimin e synimeve të Rilindjes Kombëtare ishte mohimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve nga Perandoria Osmane dhe copëtimi prej saj i trojeve të tyre etnike në disa njësi të mëdha administrative, siç ishin vilajetet, të cilat pengonin jetën e tyre të përbashkët.
Fillimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare u dukën në çerekun e dytë të shekullit XIX. Ato u dukën në një kohë kur Perandoria Osmane ndërmori zbatimin e reformave administrative, financiare, ushtarake, arsimore të njohura me emrin Tanzimat. Një nga masat kryesore të Tanzimatit ishte reforma administrative e vilajeteve.
Provinca historike e Dardanisë u prek, për sa u përket kufijve administrativë, tepër pak. Ajo u quajt vilajeti i Kosovës, qendrën e pati kryesisht në Shkup, kurse vetë Shkupi u ngrit në nivelin e një sanxhaku. Për sa u përket viseve të sotme të Maqedonisë, sanxhaku i Shkupit përfshinte kazatë e Shkupit, Kumanovës, Kaçanikut, Shtipit, Radovishtës, Koçanës, Kratovës, Peçevës dhe të Egri-Palankës. Tetova u shkëput nga Shkupi dhe u përfshi në sanxhakun e Prizrenit. Krahas vilajetit të Kosovës u krijua edhe vilajeti i Manastirit, i cili përfshiu pesë sanxhaqe.
Dy prej tyre kishin vise shqiptare, që sot bëjnë pjesë në Republikën e Maqedonisë – sanxhaku i Manastirit, i cili kishte kazanë e Ohrit (me Strugën) dhe kazanë e Kërçovës; si dhe sanxhaku i Dibrës, i cili përveç viseve që sot bëjnë pjesë në Shqipëri, përfshinte edhe kazanë e Rekës. Tre sanxhakët e tjerë, ai i Korçës dhe Elbasanit nuk e preknin fare Republikën e sotme të Maqedonisë, kurse sanxhaku i Selfixhesë nuk përfshinte fare vise shqiptare.
Dihet se parimet e Tanzimatit u shpallën në Stamboll më 3 nëntor 1839. Një nga kryengritjet më të mëdha kundër masave tanzimatiste shpërtheu nga shqiptarët e Shkupit, më 21 korrik të vitit 1843.
Nga Shkupi kryengritja, e cila njihet me emrin e udhëheqësit të saj Dervish Carës, u shtri me të shpejtë në viset e tjera shqiptare si në Tetovë, Kaçanik, Kumanovë, Gostivar, pastaj dhe në viset e banuara nga popullsi maqedonas.
Sapo kryengritja e Dervish Carës u shtyp, shpërtheu nga shqiptarët kryengritja në sanxhakun e Dibrës, e cila gjithashtu u shtyp nga ushtritë e rregullta osmane.
Megjithatë, kryengritjet e shqiptarëve vazhduan edhe më vonë. Kështu, për gati 30 vjet kryengritjet pasuan njëra-tjetrën derisa në vitin 1875 Porta e Lartë hoqi dorë nga zbatimi me dhunë i masave tanzimatiste në malësitë shqiptare.
Sapo u ndërprenë kryengritjet antiturke, filluan më 1878-n protestat e shqiptarëve kundër Traktatit të Shën Stefanit dhe kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit.
Meqenëse Kongresi i Berlinit vendosi cedimin e disa viseve shqiptare në favor të monarkive fqinje, Lëvizja Kombëtare Shqiptare nën drejtimin e Lidhjes së Prizrenit mori hov të paparë deri atëherë.
Tri ndër vatrat kryesore të lëvizjes patriotike të Lidhjes së Prizrenit qenë në Shkup, Tetovë, Dibër. Madje, kryetari i parë i saj ishte nga Dibra, Iljaz Pashë Qoku, të cilin e pasoi një personalitet nga Tetova, Sheh Mustafa Tetova.
Shqiptarët e Shkupit i dhanë Lidhjes së Prizrenit disa personalitete tepër të rëndësishme, njëri ndër të cilët, Jashar bej Shkupi, udhëheqësi i tyre kryesor, pësoi internim të rëndë në burgjet e ishujve të Egjeut.
Pasi Lidhja e Prizrenit u shtyp me dhunë nga forcat ushtarake osmane, protestat e shqiptarëve të këtyre viseve vazhduan kundër Portës së Lartë.
Pikërisht në këtë kohë fillon edhe lëvizja politike për krijimin e një vilajeti të bashkuar dhe autonom shqiptar, e cila më 1899-n, një nga qendrat më kryesore të saj e pati në qytetin e Dibrës.