Sot është mbajtur mbledhja e Grupit Parlamentar të LDK-së, ku është diskutuar për seancën konstituive të 9 shtatorit.Burime të Gazetës Express tregojnë se Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami dhe Janina Ymeri nuk morën pjesë në këtë mbledhje.
Pas mbledhjes, shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, tha se gjithë janë pajtuar që të marrin pjesë në seancë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka hequr përfundimisht dorë nga diskutimi çështjen e presidentit dhe ka vendosur të marrë pjesë në vazhdimin e seancës e pasafatshme konstituive.
Vendimi u mor të hënën në mbledhjen e grupit parlamentar, ku morën pjesë deputetët e zgjedhur të kësaj partie.
Nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se grupi parlamentar prej 18 deputetësh është pajtuar për pjesëmarrje në seancën e thirrur nga Vetëvendosje, ani pse afatet kushtetuese janë shterrur.
Sipas saj, prioriteti i LDK-së është konstituimi i Kuvendit dhe tejkalimi i krizës institucionale, pavarësisht dilemave kushtetuese që janë ngritur.
“Absolutisht nuk është diskutuar çështja e presidentit, nuk është më temë”, tha Lushaku-Sadriu pas përfundimit të mbledhjes.
“Folëm për seancën e ardhshme, për vazhdimin e seancën konstitutive. Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancë”, tha ajo.
“Mos harroni Kosova është në krizë institucionale përkundër faktit që kemi shkaur tri herë në zgjedhje”, deklaroi ajo.
E pyetur nëse pjesëmarrja nënkupton ndihmë për Vetëvendosjen në një proces të kontestuar kushtetues, ajo tha se çështjet tjera do të vendosen më pas.
“Të gjitha këto tema do t’i vendosim, ne jemi për kushtetuetshmëri por edhe për konstituim të institucioneve”, tha Lushaku-Sadriu.
Vendimi erdhi pas deklaratave të ndryshme brenda LDK-së, të dhëna para mbledhjes, lidhur me vlefshmërinë dhe pjesëmarrjen në seancë.
Nënkryetarja Doarsa Kica-Xhelili kishte shprehur rezerva të forta për mundësinë e pjesëmarrjes, duke kërkuar fillimisht qëndrimin e partisë.
“Dua të shoh leximin e tyre për këtë çështje”, tha ajo, duke shtuar se kishte një lexim personal të situatës.
Kica-Xhelili vlerësoi se afatet tashmë kishin kaluar dhe se “eksperimentimi tutje duhet të përmbyllet tani”.
“Në opinionin tim personal është krijuar një pamundësi koxha objektive për të marrë pjesë në këtë seancë konstitutive”, deklaroi ajo.
Edhe deputeti Armend Zemaj kishte deklaruar para mbledhjes se kalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përbënte shkelje kushtetuese.
“Kemi thanë që 30 ditëshi ka qenë i domosdoshëmnm për konstituim, por në gjykim tim s’ka asnjë dilemë”, tha Zemaj.
“Është shkelje kushtetuese, por atë duhet ta thotë GjK”, shtoi ai, duke kërkuar që çështja të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese.
Zemaj e lidhi debatin edhe me 7 shtatorin, duke përmendur Kushtetutën e Kaçanikut dhe rëndësinë e mbrojtjes së kushtetutshmërisë.
“Sot është 7 shtatori, Kushtetuta e Kaçaniktu, e kjo duhet të jetë ndërgjegjësuese”, deklaroi ai para mbledhjes.
Mbledhja u zhvillua edhe nën hijen e përplasjeve të brendshme rreth kandidaturës së Bekim Sejdiut për president.
Kandidatura nuk kishte mbështetjen e një pjese domethënëse të grupit parlamentar të LDK-së.
Sejdiu ishte paraqitur si emër konsensual pas diskutimeve mes Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit, por pa konsultim të plotë partiak.
Kundërshtitë u bënë publike pasi disa deputetë deklaruan se nuk do ta votonin, ndërsa më pas u raportua se skepticizmi ishte më i gjerë.
Lutfi Haziri kishte thënë se “Nuk ka këtu gjashtë vetë, janë edhe gjashtë të tjerë me hezitime serioze”.
Janina Ymeri, ndërkaq, kishte kundërshtuar procedurën dhe kandidaturën, duke thënë se deputetët ishin vendosur para një marrëveshjeje tashmë të kryer.
“Figura e Bekim Sejdiut si e tillë nuk është konsensuale”, kishte thënë Ymeri, duke kundërshtuar idenë se ai ishte figurë unifikuese.