Dalin detaje nga tragjedia ne Kline, ja si e vrau motren vellau i saj

Gazeta Sinjali raportoi dje për arrestimin e një personi në fshatin Poterq të Klinës, i cili dyshohej se kishte ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tij.

 

Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje të reja për rastin, duke njoftuar se motra e të dyshuarit ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga zjarri.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, më 6 shtator i dyshuari, i cili raportohet se ka probleme të shëndetit mendor, dyshohet se i vuri flakën krevatit ku ndodhej motra e tij.

 

Më pas, ai dyshohet se shkoi në një dhomë tjetër dhe e sulmoi nënën me një mjet të fortë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Pas marrjes së informatës, Policia ndërhyri dhe arrestoi të dyshuarin. Dy të lënduarat u dërguan fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës dhe më pas u transferuan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Policia është njoftuar sot, më 7 shtator, se vajza nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të shkaktuara nga zjarri. Vdekja e saj është konstatuar nga ekipi mjekësor.

Me vendim të prokurorit të Shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Për shkak të gjendjes së rënduar psikike, ai është vendosur në repartin e Psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku po qëndron nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe mbikëqyrjen e Policisë.