Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar në rrjetet sociale pas zhvillimeve të fundit brenda partisë lidhur me kandidaturën për president të Kosovës. Gashi ka publikuar vetëm fjalën “LDK”, të shoqëruar me një fotografi të tij pranë selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Reagimi i tij vjen pak pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se gjashtë deputetë të partisë kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidatin e propozuar për president, Bekim Sejdiun. Në mesin e tyre është edhe Arben Gashi, së bashku me Hykmete Bajramin, Avdullah Hotin, Armend Zemajn, Kujtim Shalën dhe Janina Ymerin.
Postimi i shkurtër i Gashit, pa asnjë shpjegim shtesë, ka ardhur në një moment të tensionuar për LDK-në, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar dhe debatit të brendshëm rreth marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit. Mesazhi “LDK”, i shoqëruar me fotografinë pranë selisë së partisë, mund të shihet si një sinjal për qëndrimin e tij pas zhvillimeve të sotme.