Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së të mërkurën ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, në të cilën është diskutuar propozimi që ditë më parë i është dërguar nga kryeministri Albin Kurti.
Në këtë mbledhje është marrë vendim që OVL-ja e UÇK-së t’i kthejë me shkrim përgjigje Kurtit për propozimin e tij.
Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, i cili tha se përgjigjja është gati dhe do t’i dërgohet Kurtit sapo të kthehet nga SHBA-ja.
Ai refuzoi të tregojë nëse do ta pranojnë ose refuzojnë propozimin e Qeverisë, që bashkërisht të hartojnë një ligj të ri dhe të nisë procesi i verifikimit të veteranëve.
“Në mbledhjen e djeshme Kryesia e ka përkrahur që t’i kthehet përgjigjja me shkrim për propozimin”, ka thënë Klinaku, duke shtuar se përmbajtja e përgjigjes do të kuptohet sapo t’i dorëzohet Kurtit.
Kujtojmë se kryeministri Kurti kohë më parë i ka dërguar një propozim me shkrim ushtruesit të detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së Faton Klinaku, sipas të cilit propozohet që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.
Ky propozim ka ardhur pas protestave të veteranëve pasi pensionet e tyre prej 170 eurove nuk u përfshin në rritjen e pagës minimale prej 264 eurosh.