Katër vite pasi la politikën për televizionin, Grida Duma ka rrëfyer për herë të parë detaje nga vendimi që i ndryshoi karrierën.
E ftuar në podcast-in “UET Cast”, moderatorja e “Top Story” tregoi se gjithçka nisi pas një propozimi nga drejtuesja e Top Channel, Lori Hoxha, të cilin e cilësoi si një “bekim”.
“Ishte një propozim i cili më la pa frymë. Kur e dëgjova, shtanga. Besoj se ishte një shenjë dhe erdhi në momentin e duhur”, u shpreh Duma.
Ajo tregoi se në atë periudhë nuk ndihej më e motivuar të vazhdonte në politikë, duke kritikuar ashpër gjendjen e Partisë Demokratike dhe mungesën e kohezionit brenda saj.
Grida Duma zbuloi se fillimisht kishte menduar të mbante njëkohësisht edhe rolin në politikë, edhe atë në media, por më pas vendosi të bënte vetëm një zgjedhje.
“Njeriu duhet të ketë guxim të bëjë një zgjedhje. Besoj se bëra zgjedhjen e duhur”, deklaroi moderatorja.
Sot, katër vite pas largimit nga politika, Grida Duma është një nga figurat kryesore të ekranit të Top Channel, ku drejton emisionin politik “Top Story”.