Bashkim Gashi ia mori jetën gruas, flet familja e kësaj të fundit dhe zbulon gjëra të rënda

Detaje të reja pritet të dalin në dritë lidhur me vrasjen e 36-vjeçares Dila Ndoj, ngjarje që tronditi opinionin publik në Mal të Zi dhe Shqipëri. Për herë të parë pas krimit, familjarët e viktimës kanë vendosur të flasin publikisht, duke paralajmëruar se do të zbulojnë rrethana dhe shqetësime që, sipas tyre, i kanë paraprirë tragjedisë.

 

Dila Ndoj, me origjinë nga Balldreni i Lezhës, humbi jetën pak ditë më parë në Ulqin, ndërsa për rastin autoritetet malazeze kanë arrestuar partnerin e saj, Bashkim Gashi, 46 vjeç, nga Kosova.

Sipas autoriteteve, ai dyshohet për vrasjen e 36-vjeçares, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim dhe deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera zyrtare lidhur me motivin apo rrethanat e plota të ngjarjes.

Pas ngjarjes tragjike, familjarët e viktimës udhëtuan drejt Malit të Zi për të ndjekur procedurat ligjore dhe për të tërhequr trupin e pajetë të së ndjerës.

Tashmë, ata pritet të japin një dëshmi publike në emisionin “Me Zemër të Hapur”, ku do të flasin për jetën e Dilës, marrëdhënien e saj me partnerin dhe shqetësimet që, sipas tyre, e kishin shoqëruar përpara ngjarjes tragjike.

Familjarët pritet të ndajnë kujtime për 36-vjeçaren, të tregojnë versionin e tyre të ngjarjeve dhe të kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit nga autoritetet.

Rasti vazhdon të hetohet nga organet kompetente në Mal të Zi, ndërsa përgjegjësia penale e personit të arrestuar do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të procedurave hetimore dhe një vendimi të formës së prerë nga gjykata.

Shënim: Personi i arrestuar në këtë rast prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.