Publikohen rezultatet për qumshtin VITA

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka publikuar raportin përfundimtar të monitorimit të produkteve të qumështit në Kosovë, duke bërë të ditur se analizat laboratorike kanë evidentuar dhjetëra mospërputhje në produktet e prodhuara dhe të përpunuara nga disa kompani.

 

Në një konferencë për media, drejtori i AUV-së, Bekim Hoxha, njoftoi se gjatë procesit të monitorimit janë konstatuar 93 mospërputhje në produktet e qumështit të testuara.

Sipas tabelës së publikuar nga Agjencia, në mesin e produkteve ku është konstatuar prania e vajit të palmës të padeklaruar figuron edhe qumështi i kompanisë VITA.

 

Në raport, te rubrika “Mospërputhja”, për produktet e kësaj kompanie është shënuar: “Vaj palme i detektuar, jo i deklaruar”, çka nënkupton se analizat laboratorike kanë zbuluar praninë e vajit të palmës, ndërsa ky përbërës nuk ishte deklaruar në etiketën e produktit.

Raporti i AUV-së nuk ndalet vetëm te një kompani. Në listën e publikuar përfshihen edhe prodhues të tjerë, si ALDI, Abi SH.P.K. dhe Abrazen L.L.C., ku në disa produkte janë evidentuar mospërputhje të ngjashme.

Sipas të dhënave të prezantuara, në disa raste është konstatuar prania e vajit të palmës, ndërsa në raste të tjera janë identifikuar edhe yndyra bimore të padeklaruara, të cilat nuk figuronin në përbërjen e deklaruar të produktit.

Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë bëri të ditur se monitorimi është realizuar në kuadër të kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore dhe respektimin e standardeve ligjore për etiketimin e produkteve.

Publikimi i raportit pritet të nxisë kontrolle të mëtejshme dhe masa ndaj operatorëve ekonomikë që nuk kanë respektuar kërkesat ligjore për deklarimin e përbërësve në produktet ushqimore.

AUV ka bërë të ditur se rezultatet e monitorimit do të shërbejnë si bazë për procedurat administrative dhe veprimet e mëtejshme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e transparencës në tregun e produkteve ushqimore.