Gazetari zbulon prapaskenat: A po afrohet koalicioni VV-LDK? Përmenden emrat e ministrave dhe roli i Vjosa Osmanit
Zhvillimet politike në Kosovë mund të marrin një kthesë të re në ditët në vijim. Gazetari Vullnet Krasniqi ka deklaruar se, sipas informacioneve që posedon, brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po zhvillohen lëvizje që mund të çojnë drejt një marrëveshjeje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Duke folur në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Krasniqi tha se një pjesë e deputetëve të LDK-së, të cilët deri më tani janë konsideruar kundërshtarë të bashkëpunimit me Albin Kurtin, mund të ndryshojnë qëndrim nëse arrihet një marrëveshje politike.
“Lajmi është që ajo gjashta e LDK-së që janë kategorikisht kundër Kurtit, mund të mos jenë edhe kundër Kurtit, për shkak se aty ka disa emra që kanë qenë kundër Lumir Abdixhikut për ta vazhduar lojën, por mund të jenë edhe ministra. Hykmete Bajrami është dëshira e Albin Kurtit, Armend Zemaj është çka mund të japë Lumir Abdixhiku. Njëri prej politikanëve brenda LDK-së, për çka kam unë informacione, ka filluar dhe është pajtuar me hy në koalicion dhe me vazhdu tutje me Lumirin, është Armend Zemaj”, deklaroi Krasniqi.
Ai shtoi se në bisedimet jozyrtare po përmendet edhe një formulë tjetër për ndarjen e posteve më të larta shtetërore.
Sipas tij, në tavolinën e diskutimeve është përfolur mundësia që Vjosa Osmani të marrë postin e kryetares së Kuvendit, ndërsa për një periudhë të caktuar të ushtrojë edhe funksionin e presidentes.
“Edhe Vjosa Osmanit mund t’i urojmë mirëseardhje si kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës për ca kohë. Pak a shumë është një pajtueshmëri në parim, për momentin. Kjo është kushti që nëse dikush duhet të jetë kryeparlamentar, ndërsa Konjufca alternativa e presidentit, që me i lëshu pak kohë LDK-së për me marrë ministrin e Jashtme”, u shpreh ai.
Gazetari deklaroi gjithashtu se në rast të arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, edhe kryetari i kësaj të fundit, Lumir Abdixhiku, mund të marrë një rol të rëndësishëm në qeverinë e re.
Sipas Krasniqit, një nga skenarët që po qarkullon është emërimi i Abdixhikut në postin e zëvendëskryeministrit.
Deri më tani, as Lëvizja Vetëvendosje dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë konfirmuar zyrtarisht pretendimet e përmendura nga gazetari, ndërsa bisedimet për formimin e institucioneve të reja pritet të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim.
Shënim: Deklaratat e mësipërme janë pretendime dhe vlerësime të gazetarit Vullnet Krasniqi të bëra në emisionin “Kosova Today” dhe nuk përbëjnë konfirmim zyrtar nga partitë politike apo institucionet përkatëse.