Finalja e Kupës së Botës 2026 nuk përfundoi me vërshëllimën e fundit të arbitrit. Tensionet mes futbollistëve vijuan edhe pas ndeshjes, ndërsa kamerat e DAZN kanë zbuluar një debat të ashpër mes mbrojtësit argjentinas Nicolas Otamendi dhe mesfushorit spanjoll Rodri.
Sipas pamjeve të publikuara, Otamendi iu drejtua Rodrit me tone të forta, duke e akuzuar atë dhe mbrojtësin Aymeric Laporte se kishin kaluar gjithë javën duke u ankuar për arbitrimin dhe duke ushtruar presion përpara finales.
“Fol më pak, boludo, se ke ndenjur duke u qarë gjithë javën. Gjithë javën keni ndenjur duke u qarë. Ti dhe Laporte. Kjo gjë nuk bëhet. Ndenjët duke u qarë te arbitrat, mik”, dëgjohet t’i thotë Otamendi.
Rodri u përpoq të ulte tensionin, duke iu përgjigjur shkurt:
“Unë tregoj respekt…”
Por mbrojtësi argjentinas nuk u tërhoq dhe vijoi kritikat:
“Ti nuk ke pse të flisje para ndeshjes, e merr vesh?”
Kur Rodri e pyeti: “Çfarë thashë?”, Otamendi përmendi edhe Laporten:
“Po Laporte? A nuk e ke parë çfarë ka thënë këtë javë?”
Dialogu i publikuar nga DAZN ka bërë jehonë të madhe në rrjetet sociale, duke ndezur diskutime mes tifozëve për deklaratat e bëra nga futbollistët spanjollë përpara finales dhe për tensionin që vijoi edhe pas mbylljes së ndeshjes.
Në kontekstin argjentinas, fjala “boludo” përdoret shpesh në bisedat e përditshme, por në këtë rast është përdorur me ton provokues dhe fyes, duke i dhënë debatit një ngarkesë edhe më të madhe.