“Ballkani i Hapur është ndarja e Kosovës”, Berisha: E treguan kur ngritën kartonët e kuq për Srebrenicën

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një bashkëbisedim për trashëgiminë kulturore, me temë: Nga gërmadhat e Teatrit te “shitja” e Butrintit, është ndalur gjatë fjalës së tij edhe tek “Ballkani i Hapur”.

Berisha u shpreh se “Ballkani i Hapur” është ndarja e Kosovës dhe këtë e provoi ngritja e kartonit të kuq nga socialistët për masakrën e Srebrenicës.

“Ballkani i Hapur është ndarja e Kosovës. E kam deklaruar herë pas here, dhe më pas jam marrë me pasojat katastrofale për fshatin shqiptar, ku prodhimet e tyre hidhen në kanal. Janë rritur 40% importet bujqësore të Shqipërisë nga Serbia. është moment jo i favorshëm për ne si komb. Ne jemi komb i vjetër dhe kombet e vjetra nuk vdesin kurrë.

Edhe këtë bëtejë do ta fitojmë. Edi Rama është tërësisht i përfshirë. Ju e patë vetë ku shkon kopeja. E patë kur u ngritën kartonat e kuq për Srebrenicën. është vetëm efekt kopeje. Njeriu ka një ndërgjegjie, dhe ministres Margariti i mungon, është misioni i saj mbrojtja e trashëgimisë kulturore të Butrintit. Ju garantoj se shqetësimet serioze që u ngritën këtu, do të jenë pjesë e programit. Teatri Kombëtar do të ngrihet siç ka qenë”, tha Berisha.