Mediat gjermane kanë publikuar detaje të reja lidhur me sulmin ndaj një autobusi me pasagjerë shqiptarë, i cili po udhëtonte nga Barcelona në Shqipëri dhe po kalonte nga Gjermania.
Sipas gazetës gjermane BILD, tre persona të armatosur kanë ndaluar autobusin në autostradën A93 pranë daljes Aiglsbach, duke përdorur sinjale drite dhe duke u paraqitur si policë.
Pas ndalimit në një parking për udhëtarë, ata kanë hyrë në autobus nën pretekstin e një kontrolli policor dhe kanë kërkuar para e dokumente nga pasagjerët.
Sipas autoriteteve gjermane, gjatë incidentit nuk pati persona të lënduar.
Pas grabitjes, të dyshuarit janë larguar me një automjet Volkswagen të bardhë në drejtim të Mynihut.
Policia kriminale në Landshut ka marrë në dorë hetimet dhe po kërkon informacione nga qytetarët për identifikimin e autorëve.
Shoqata Bavareze e Kompanive të Autobusëve e ka cilësuar ngjarjen si të pazakontë, duke theksuar se raste të ngjashme nuk janë regjistruar më parë në Bavari.
Sipas prokurorisë në Regensburg, autobusi kishte nisur udhëtimin nga Barcelona dhe po kthehej drejt Shqipërisë përmes Cyrihu. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë ende në vazhdim.