Komandanti i UÇK-së i reagon ‘ashpër’ ministres serbe

“Persona non grata”, u shpall nga Kosova, ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq.

Paunoviq ka dhënë deklaratë skandaloze ditë më parë, duke thënë se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998.

Paunoviq së cilës tashmë i ndalohet në mënyrë të përhershme hyrja dhe kalimin tranzit në territorin e Republikës së Kosovës, është kritikuar për deklaratën skandaloze, ndërsa ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se deklarata e ministres serbe përbën vazhdimësi të një politike shtetërore që, sipas tij, për dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre.

Në një njoftim të publikuar në Facebook, Sveçla bëri të ditur se ka nënshkruar vendimin për shpalljen e Paunoviqit si person i padëshirueshëm.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezhana Paunović e kam shpallur persona non grata, të padëshirueshme, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës. Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, ka shkruar Sveçla.

Ai theksoi se gjuha e përdorur nga ministrja serbe duhet të dënohet nga të gjitha shtetet, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe nxitëse të urrejtjes.

 

Sipas Sveçlës, çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me “përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”.

Luftëtari dhe komandanti i luftës së UÇK-së, ndërsa pas luftës ish-epror i TMK-së, Naim Miftari, për “Bota so”, ka komentuar deklaratën e Paunoviq.

Miftari thotë se ministrja e shtetit fashist të Serbisë është me fat, kjo për shkak edhe të vjedhjeve nga klani i hajdutëve.

 

“Sa me fat jeni ju, ministre e shtetit fashist të Serbisë, Snezhana Paunović. Jeni me fat, sepse pothuajse mbi 90% e fondeve të luftës që u mblodhën nga bashkëkombësit tanë shqiptarë u vodhën nga aleatët e Serbisë, nga klani i hajdutëve të 3%-shit, në krye me Bujar Bukoshin. Po ashtu, edhe fondi “Vendlindja Thërret” u vodh nga një klan tjetër, në krye me Hashim Thaçin”, shprehet Miftari.