Një video e publikuar në rrjetet sociale ka nxitur reagime, pasi në të shfaqet deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, në një përplasje verbale me një gazetar dhe një person që prezantohet si përfaqësues i diasporës.
Në pamjet që po qarkullojnë online, Braçe shihet duke iu afruar gazetarit dhe duke e shtyrë me duar, ndërsa më pas dëgjohet duke përdorur gjuhë fyese ndaj personit tjetër të pranishëm.
Sipas videos së publikuar nga VoxNews, incidenti ka ndodhur pranë hyrjes së Kryesisë së Kuvendit. Në regjistrim dëgjohet deputeti duke iu drejtuar gazetarit që të largohet, ndërsa më pas shkëmben fjalë të ashpra edhe me përfaqësuesin e diasporës.
Pamjet janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe kanë nxitur reagime të shumta.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Erion Braçe nuk ka reaguar publikisht lidhur me videon apo pretendimet që lidhen me incidentin.