Kujdes para se të udhëtoni! Kroacia zbaton rregulla të reja për hyrjen në vend – ja çfarë duhet të dini

Qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë drejt Kroacisë duhet të informohen për rregullat e reja që kanë hyrë në fuqi, pasi autoritetet kroate kanë nisur zbatimin e plotë të dispozitave të reja të Bashkimit Evropian për kontrollet doganore.

Sipas raportimit të “Večernji list”, nga 1 korriku 2026 Kroacia ka filluar zbatimin e plotë të sistemit të ri evropian, duke vendosur kërkesa shtesë për mallrat që hyjnë në territorin doganor të Bashkimit Evropian përmes kufirit kroat.

Deklarimi i mallrave bëhet i detyrueshëm

Një nga ndryshimet kryesore është detyrimi për dorëzimin e Deklaratës së Përmbledhur Hyrëse (Entry Summary Declaration – ENS/USD) për të gjitha mallrat që transportohen me rrugë ose hekurudhë dhe hyjnë në BE përmes Kroacisë.

Ky detyrim u takon kryesisht transportuesve, por deklarata mund të dorëzohet edhe nga përfaqësuesi i tyre, marrësi i mallit ose një person tjetër i autorizuar.

Për kryerjen e kësaj procedure kërkohet që transportuesi ose deklaruesi të ketë një numër aktiv EORI, të regjistruar në Bashkimin Evropian.

Afatet janë të detyrueshme

Deklarata duhet të dorëzohet:

  • Të paktën 1 orë para mbërritjes për transportin rrugor.
  • 1 deri në 2 orë para mbërritjes për transportin hekurudhor.

Mosrespektimi i këtyre afateve mund të sjellë vonesa të konsiderueshme dhe bllokime në procedurat doganore.

Bagazhi personal nuk preket nga kjo procedurë

Autoritetet sqarojnë se këto rregulla nuk vlejnë për bagazhin personal të udhëtarëve, ku përfshihen sendet personale dhe artikujt për përdorim gjatë udhëtimit.

Kufijtë e mallrave pa detyrime doganore

Për mallrat për përdorim personal vlejnë kufijtë e mëposhtëm:

  • 430 euro për udhëtarët që hyjnë me avion ose transport detar.
  • 300 euro për ata që udhëtojnë me automjet ose tren.
  • 150 euro për udhëtarët nën moshën 15-vjeçare.

Mallrat që tejkalojnë këto vlera mund t’i nënshtrohen pagesës së detyrimeve doganore dhe TVSH-së.

Kufizime për alkoolin dhe duhanin

Rregullat lejojnë futjen pa detyrime të:

  • deri në 40 cigare ose sasi ekuivalente të produkteve të duhanit;
  • 1 litër pije alkoolike të fortë ose 2 litra pije me përmbajtje më të ulët alkooli;
  • 4 litra verë;
  • 16 litra birrë.

Këto përjashtime nuk vlejnë për personat nën 17 vjeç.

Kujdes me mallrat në automjete transportuese

Autoritetet kroate theksojnë se materialet ndërtimore, mobiliet, pajisjet shtëpiake, pjesët rezervë dhe mallra të ngjashme që transportohen në hapësirën e ngarkesës së automjeteve nuk konsiderohen bagazh personal dhe i nënshtrohen procedurave të rregullta doganore.

Rregulla të veçanta për udhëtarët nga Kosova dhe vendet e rajonit

Për udhëtarët që hyjnë në Kroaci nga vende jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi, zbatohen kufizime të veçanta për produktet me origjinë shtazore.

Nuk lejohet futja e:

  • mishit;
  • qumështit;
  • produkteve të mishit dhe qumështit.

Ndërsa lejohen:

  • deri në 20 kilogramë peshk dhe produkte peshku për person;
  • deri në 2 kilogramë mjaltë, vezë dhe produkte të tjera me origjinë shtazore;
  • deri në 2 kilogramë ushqim për foshnja, ushqim mjekësor ose ushqim për kafshë shtëpiake.

Produktet si buka, biskotat, çokollatat, makaronat dhe suplementet ushqimore mund të futen për përdorim personal nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara.

Çfarë ndodh nëse shkelni rregullat?

Autoritetet paralajmërojnë se produktet e ndaluara ose ato që nuk deklarohen mund të konfiskohen dhe asgjësohen, ndërsa udhëtarët që nuk respektojnë rregullat mund të përballen edhe me gjoba.

Për këtë arsye, qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë drejt Kroacisë këshillohen të informohen paraprakisht për rregullat doganore dhe të shmangin transportimin e produkteve që nuk lejohen në territorin e Bashkimit Evropian.