15-vjeçarja gjendet e vdekur në banesë – arrestohet nëna e saj

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Hamburgut në Gjermani, ku një vajzë 15-vjeçare është gjetur pa shenja jete në banesën e nënës së saj, vetëm disa orë pasi ishte raportuar e zhdukur.

Sipas mediave gjermane, policia kishte nisur kërkimet për adoleshenten që nga mbrëmja e së shtunës, pasi ajo nuk ishte kthyer në qendrën sociale ku ishte e akomoduar.

Stafi i institucionit, i shqetësuar për mungesën e saj, njoftoi menjëherë autoritetet, të cilat filluan operacionin e kërkimit.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, policia e lokalizoi vajzën në banesën e nënës së saj 43-vjeçare, në lagjen Bramfeld të Hamburgut.

Sipas raportimeve të Bild, adoleshentja u gjet pa shenja jete dhe me disa plagë në trup. Mjeku i urgjencës që mbërriti në vendngjarje konstatoi vdekjen e saj.

Pas zbulimit të trupit, policia arrestoi nënën 43-vjeçare. Sipas autoriteteve gjermane, ekzistojnë indikacione se ajo mund të vuajë nga probleme të shëndetit mendor, rrethanë që po shqyrtohet në kuadër të hetimeve.

Njësitë hetimore kanë rrethuar vendin e ngjarjes dhe kanë nisur grumbullimin e provave për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes së 15-vjeçares.

Prokuroria dhe Policia e Hamburgut pritet të publikojnë më shumë detaje pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe veprimeve të para hetimore.

Personi i arrestuar prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.