Selvija ka emocionuar ndjekësit e saj në rrjetet sociale me një postim të fundit në InstaStory, përmes të cilit ka kujtuar partnerin e saj të ndjerë, këngëtarin Shpat Kasapi.
Ajo ka ndarë një fragment të shkurtër nga një këngë ende e papublikuar e artistit, duke rikthyer kujtimin e tij përmes muzikës. Krahas videos, Selvija ka shkruar një mesazh të shkurtër, por mjaft prekës: “Kënga që nuk kam fuqi ta publikoj…”, të shoqëruar me simbolin e një zemre të thyer.
Në sfond të videos, ku shfaqej hëna e plotë, dëgjoheshin vargjet: “Sa herë që vjen nata, tregom a t’vijë në mendje, a je t’u e pa këtë hënë”, të cilat kanë prekur shumë ndjekës.
Kujtojmë se vetëm pak javë më parë, Selvija publikoi një tjetër projekt muzikor të Shpat Kasapit, të dedikuar për nënat. Ajo ka bërë të ditur se synon të publikojë edhe këngët e tjera të artistit që kanë mbetur të papërfunduara, duke ruajtur dhe përcjellë më tej trashëgiminë e tij muzikore.