Ndryshim i rëndësishëm për udhëtarët e Wizz Air, kompania prezanton një shërbim të ri
Wizz Air ka prezantuar një shërbim të ri që synon t’u ofrojë pasagjerëve më shumë mundësi për të organizuar udhëtimet e tyre drejt destinacioneve të ndryshme.
Përmes platformës së re, udhëtarët mund të kombinojnë dy fluturime të veçanta brenda rrjetit të kompanisë, duke krijuar itinerare me ndalesë edhe në rastet kur nuk ekziston një linjë direkte. Kjo rrit ndjeshëm numrin e destinacioneve që mund të arrihen përmes rrjetit të Wizz Air.
Sipas informacionit të publikuar nga kompania, pasagjerët duhet të kryejnë vetë procedurat e transferimit në aeroportin e ndërmjetëm, përfshirë marrjen dhe riregjistrimin e bagazheve, si dhe kalimin e kontrolleve të nevojshme.
Në rast se ndodhin vonesa ose anulime që ndikojnë në fluturimin pasues, udhëtarët mund të përfitojnë mbështetje përmes shërbimit të mbrojtjes së udhëtimit të ofruar në këtë platformë, sipas kushteve të përcaktuara nga kompania.
Ky zhvillim pritet t’u japë udhëtarëve më shumë fleksibilitet dhe alternativa për të planifikuar udhëtimet e tyre, duke zgjeruar mundësitë për të arritur destinacione të reja me çmime konkurruese.