Abazi me akuza të forta ndaj Kurtit: Është në mision për shpërbërjen e Republikës së Kosovës

Ish-deputeti Haki Abazi ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke pretenduar se ai është në një mision për shpërbërjen e Republikës së Kosovës.

 

I ftuar në emisionin “DPT Te Fidani” në Klan Kosova, Abazi tha se këtë pretendim e mbështet, sipas tij, edhe fakti që Kurti viziton Greqinë, një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Kurti është në misionin e tij të shpërbërjes së Republikës së Kosovës, kjo po vërtetohet realisht. Arsyeja që shkon në Greqi është se Greqia nuk e njeh Kosovën, kjo është fakt që Kurti nuk e njeh Republikën e Kosovës, Kurti është brenda Republikës për të shpërbërë Republikën. Për tri vite në mënyrë graduale është duke hequr copë-copë atribute të shtetit”, tha Abazi.

 

Ai pretendoi gjithashtu se mungesa e funksionalitetit të Kuvendit për një periudhë të gjatë është një tjetër dëshmi e asaj që ai e cilëson si shpërbërje të shtetit.

“Për tre vite shtet parlamentar pa Kuvend, tregon që realisht është në shpërbërje të Republikës. Sulmi mbi sistemin e drejtësisë, sulmi mbi Gjykatën Kushtetuese, është atak mbi Kushtetutshmërinë e Republikës. Të gjithë ata që besojnë në Republikën e Kosovës, të gjithë ata që është baza e mendimit të krijimit të Republikës së Kosovës, prej presidentit Rugova dhe partisë që ai ka lënë prapa dhe mendimtarët që mendojnë që Republika e Kosovës është rruga drejt avancimit të interesave të shqiptarëve në Kosovë, janë armiq të Albin Kurtit. Për 6 vite as edhe një angazhim të vetëm për njohjen e Republikës së Kosovës”, deklaroi ish-deputeti Haki Abazi.