21-vjeçarja pretendon se fitoi veturën 20 mijë euro, qendra tregtare e konteston dhe e akuzon për mashtrim

Një lojë shpërblyese e organizuar nga “Grande Mall” në Gjilan ka përfunduar në përplasje mes një 21-vjeçareje dhe drejtuesve të qendrës tregtare.

 

L. Salihu pretendon se u shpall fituese e veturës “Citroën C3” në vlerë rreth 20 mijë euro, por thotë se nuk iu dha shpërblimi pasi punonte në një nga bizneset brenda qendrës tregtare, raporton Kiks Kosova.

Sipas saj dhe babait të saj, Xheladin Salihu, ajo është detyruar nën presion të heqë dorë nga çmimi, ndërsa familja ka iniciuar rastin në polici.

 

Por, pronari i “Grande Mall”, Gzim Selimi, e mohon këtë version. Ai thotë se 21-vjeçarja ka plotësuar vetë 13 kuponë që ishin dedikuar për konsumatorët dhe se, për këtë arsye, nuk ka pasur të drejtë të marrë pjesë në lojë.

Selimi ka mohuar edhe pretendimet për kërcënime apo presion ndaj vajzës, duke thënë se rregullat e lojës ishin komunikuar me bizneset që operojnë në qendër tregtare.

Ndërkohë, për këtë rast është marrë edhe një vendim nga Gjykata Themelore në Gjilan, e cila ka nxjerrë masë të përkohshme lidhur me veturën shpërblyese. Pronari i “Grande Mall” ka thënë se e ka pranuar vendimin, por pretendon se në të ka pasaktësi.

Policia e Rajonit të Gjilanit ka bërë të ditur se rasti është iniciuar si “mashtrim në lojë shpërblyese” dhe është përpiluar vetëm një shënim zyrtar, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga institucionet kompetente.

Kiks Kosova ka kërkuar informacion edhe nga Prokuroria Themelore në Gjilan, por deri në momentin e transmetimit nuk ka pranuar përgjigje.

Gjithçka rreth kësaj teme mund të gjeni në storiet e përgatitura nga Kiks Kosova: