AUV: Nuk kemi publikuar asnjë rezultat për analizat e qumështit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka reaguar ndaj raportimeve të publikuara në disa media, duke mohuar se janë bërë publike rezultatet laboratorike të analizave të mostrave të qumështit të marra më 2 korrik 2026.

 

Përmes një reagimi zyrtar, AUV thekson se nuk ka dërguar asnjë email me rezultate laboratorike, pasi analizat ende janë në proces dhe nuk kanë përfunduar.

Sipas Agjencisë, informacionet që kanë qarkulluar në media nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të institucionit dhe nuk burojnë nga AUV.

 

“Analizat laboratorike të mostrave të marra më 02.07.2026 janë ende në proces përpunimi dhe nuk kanë përfunduar”, thuhet në reagimin e Agjencisë.

AUV rikujton se edhe gjatë takimit të mbajtur të premten me përfaqësuesit e qumështores “Vita” dhe të Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, është bërë e qartë se rezultatet zyrtare do të publikohen vetëm pasi të kenë përfunduar të gjitha analizat laboratorike dhe të jenë verifikuar nga autoritetet kompetente.

Institucioni thekson se çdo informacion që publikohet para përfundimit të procedurave zyrtare mund të krijojë konfuzion te qytetarët dhe të dëmtojë besimin në procesin e kontrollit zyrtar të sigurisë ushqimore.

Në fund të reagimit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u ka bërë thirrje mediave dhe opinionit publik që të mbështeten vetëm në njoftimet zyrtare të institucionit dhe të shmangin publikimin e informacioneve të paverifikuara.

AUV ka bërë të ditur se rezultatet përfundimtare të analizave do të publikohen menjëherë pasi të përfundojnë procedurat laboratorike dhe të kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme.