Si dëboheshin familjet shqiptare nga Kumanova drejt Anadollit, dokumenti ekskluziv i një familje

Përgatiti: Anila Pajaziti/INA

Në arkivat e familjeve shqiptare në Turqi e në mbarë Ballkanin, fshihen ende histori që dëshmojnë një nga plagët më të mëdha të shekullit të kaluar: shpërnguljen e dhunshme të popullsisë autoktone shqiptare. Një dokument i lëshuar në vitin 1957 në Shkup, sjell në dritë mekanizmin shtetëror që u përdor për të zbrazur fshatrat e Kumanovës, përcjell INA.

 

Ky dokument, i titulluar në dy gjuhë “PUTNI LIST ZA STRANCE / LAISSER-PASSER POUR ETRANGERS” (Fletëudhëtim për të Huajt), nuk ishte thjesht një biletë udhëtimi pa kthim, por vulosje e  shpronësimit dhe dëbimit.

“I huaj” në tokën tënde: Kur shteti të shpallte pa shtetësi

 

Goditja më e madhe juridike ndaj shqiptarëve të rrethinës së Kumanovës realizohej përmes rrugëve institucionale.  Shqiptarët autoktonë nxiteshin dhe u bëhej presion në forma të ndryshme për tu shpërngulur, ndërsa hallka e fundit e pushtetit familje të tëra i shpallte si të huaj në tokën e tyre sipas formulës: BEZ DRŽAVLJANSTVA (Pa Shtetësi).

Përmes kësaj strategjie ligjore, regjimi i asaj kohe arrinte dy qëllime me një goditje: së pari, sigurohej që familjet e dëbuara të mos kishin më asnjë të drejtë legjitime për t’u kthyer në shtëpitë e tyre; së dyti, ligji parashikonte që pasuria e kujtdo që hiqte dorë apo mbetej pa shtetësinë jugosllave kalonte automatikisht në duart e shtetit, shkruan INA.

Tragjedia e familjes Aliji nga Hotla e Kumanovës

Dokumenti konkret mban numrin 185/58 dhe personifikon dramën e qindra mijëra shqiptarëve përmes historisë së një çifti të ri kumanovar.

Në të pasqyrohen të dhënat e kryefamiljarit Isa I. Aliji, i lindur më 28 Tetor 1934 në fshatin Hotël (Otlja siç shkruhet në dokument) të Kumanovës. Profesioni i tij shënohet thjesht: bujk (zemljoradnik). Ai ishte një njeri i lidhur me tokën, të cilën po ia rrëmbenin nën dritën e diellit. Bashkë me të, në këtë rrugëtim drejt të panjohurës, udhëtonte edhe bashkëshortja e tij, Etlije (e lindur më 1932, shtëpiake). Dokumenti ishte lëshuar më 15 Maj 1957, duke u dhënë atyre pak muaj kohë për të mbledhur çfarë mundeshin përpara se të niseshin përfundimisht, përcjell INA dokumentin ekskluziv.