“Hallakamë” LDK – Kërcënime e presione për nënshkrime – Ja çka shkruan anëtari i LDK-së

Tensionet brenda Lidhja Demokratike e Kosovës duket se po vazhdojnë të thellohen, ndërsa anëtari i partisë, Amir Simnica, ka reaguar publikisht me akuza të forta për atë që ai e cilëson si presion ndaj strukturave të partisë në kuadër të përpjekjeve për mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Simnica pretendon se po ushtrohen kërcënime për vendet e punës, presione ndaj strukturave dhe premtime për favore, me qëllim që anëtarët të detyrohen të nënshkruajnë për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm dhe, sipas tij, të dilet kundër lidershipit aktual të LDK-së.

“Mendoni vërtet se LDK-ja ndërtohet me kërcënime e pazare?”, shkruan ai, duke shtuar se sa më shumë presion që ushtrohet, aq më shumë, sipas tij, dëshmohet se strukturat e LDK-së nuk shiten, nuk frikësohen dhe nuk bien pre e këtyre përpjekjeve.

Sipas Simnicës, pavarësisht përpjekjeve që ai pretendon se po bëhen, nismëtarët ende nuk kanë arritur të sigurojnë numrin e nevojshëm të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.

Në fund të reagimit të tij, ai thekson se LDK-ja është më e madhe se interesat personale të kujtdo dhe se ata që e duan vërtet partinë duhet ta mbrojnë me dinjitet, e jo me kërcënime, presione apo pazare.

Ky reagim vjen në një periudhë kur brenda LDK-së po zhvillohen debate të shumta lidhur me kërkesat e një pjese të strukturave për organizimin e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm, çështje që ka nxitur diskutime dhe përplasje politike brenda partisë.

Shënim: Pretendimet e paraqitura në reagimin e Amir Simnicës janë deklarime të tij publike dhe nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.