Nëse s`do e kishim në pushtet në vitin 2013 ata që ishin, Kosova sot do të ishte në gjendje shumë më të favorshme. S`do ishim ende në gjendjen zero të rrumbullakësimit të shtetësisë së saj me të gjitha parametrat. Së fundit, për një nga dështimet e Kosovës ka folur edhe kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq.
Bëhet fjalë për marrëveshjen e parë në mes të Kosovës dhe Serbisë të arritur në Bruksel në vitin 2013, e cila mban edhe firmën e tij dhe të ish-kryeministrit Hashim Thaçi.
Sipas Daçiçit, në rast se s’do të arrihej një marrëveshje e tillë atëherë “Kosova do të ishte një shtet i kompletuar dhe i njohur, nëse atëherë nuk do të kishim marrëveshjen e Brukselit, jam i sigurt se Kosova do të kishte kohë që ishte kompletuar si shtet i njohur ndërkombëtarisht”, ka thënë Daçiq mes tjerash.
Bisedimet me Serbinë ishin kthyer në pazare të Thaçit, derisa Kosova nuk ka përfituar asgjë. Bisedimet me Serbinë duhet të kishin vizion për të tashmen dhe të ardhmen e vendit, por ato u kthyen në pazare për interesa të dikujt. Fatkeqësisht kjo klasë politike e kishte kthyer Kosovën në pazar personal, ku çdo gjë shitet dhe blihet.
Aq “serioz” ka qenë delegacioni i Kosovës sa i ishte vjedhur çanta. Dokumentet që ndodheshin në çantë ishin konfidenciale në të cilat kishte material për bisedimet me Serbinë.
Delegacioni i Kosovës në krye me ish presidentin e vendit nuk ishin transparent të tregonin se çka është biseduar në takimet e mbajtura në Bruksel apo edhe në bisedat joformale në disa ngjarje ndërkombëtare, ku janë takuar me presidentin serb dhe pikërisht kjo mungesë transparence sa vjen e bënte më të dyshimtë mbarëvajtjen e dialogut dhe më të paqëndrueshëm ecurinë e procesit.
Dhe, për Serbinë nuk kishte njeri më të përshtatshëm se Thaçi, i cili i gjendur përballë fatit të tij të errët që e pret, bënte kompromise në dëm të vendit, vetëm e vetëm që të shpëtonte veten.
Thaçi nuk është dashur të lejohet që të udhëheqë bisedimet me Serbinë në Bruksel, pasi nuk ishte i denjë dhe si i tillë nuk garanton se Kosova s’do të humbasë asgjë.
Ata që ishin më nuk janë në pushtet, dëmet që lan pas janë aq të mëdha sa duhet kalojnë shumë kohe derisa të rikuperohen.