Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të mbajë sot një mbledhje të përbashkët të Kryesisë së partisë me kryetarët e degëve, në një kohë kur ky subjekt politik po përballet me tensione dhe pakënaqësi të thella pas rezultatit në zgjedhjet e fundit.
Enis Rrustemi, Periskopi
Sipas burimeve të Periskopit, në këtë takim pritet të diskutohet gjendja aktuale brenda partisë, procesi i riorganizimit si dhe hapat e mëtejmë politikë.
Mbledhja zhvillohet, pasi ditëve të fundit disa zyrtarë dhe figura të LDK-së kanë dalë publikisht duke kërkuar përgjegjësi politike nga udhëheqja, madje edhe dorëheqjen e kryetarit, Lumir Abdixhiku.
Kush është pro dhe kush kundër Abdixhikut?
Në Komunën e Prishtinës, LDK ka gjithsej pesë [5] degë.
Sipas burimeve të Periskopit, Dega 1, 2 dhe 5 janë KUNDËR që Abdixhiku të jetë kryetar i partisë edhe më tutje. Teksa, Dega 3 dhe 4 janë në përkrahje të tij.
Përvec degëve në Prishtinë, KUNDËR Abdixhikut janë edhe: Peja, Lipjani, Mitrovica, Klina, Prizreni, Rahoveci, Gjakova, Deçani.
Tashmë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor [nga Abdixhiku] kanë kërkuar edhe figura të larta të partisë, si: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Imri Ahmeti, Gazmend Muhaxheri, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi, Florian Dushi.
“LDK nuk është pronë e askujt…”, ka shkruar ndër të tjera Avdullah Hoti, duke shprehur kësisoj paknaqësinë e rezultatit zgjedhor.