Përplasja e ashpër mes kreut të qeverisë shqiptare, Edi Rama, dhe gazetares së njohur të CNN, Isa Soares, po merr përmasa akoma më serioze. Vetëm pak kohë pasi kryeministri Rama lëshoi akuza publike ndaj medias prestigjoze
amerikane gjatë një aktiviteti në Romë, duke pretenduar se CNN duhet t’i kërkojë falje Shqipërisë, Soares ka kthyer përgjigje duke u bërë zëdhënëse e qytetarëve që po ngrihen në protesta. Përmes një postimi në rrjetin e saj në Instagram, gazetarja bëri me dije se prej gati tre javësh ka ndjekur tubimet e shqiptarëve dhe ka pranuar një lumë mesazhesh nga njerëz të ndryshëm brenda dhe jashtë kufijve.
Gazetarja shpjegoi se ka vendosur t’i ndajë këto dëshmi me ndjekësit e saj për t’u dhënë zë atyre që shpesh nuk dëgjohen, duke garantuar se identiteti i tyre do të mbetet sekret për shkaqe sigurie. Këto shkrime të publikuara ngjajnë me një dosje të vërtetë akuzash ndaj periudhës 13-vjeçare të pushtetit të Edi Ramës.