Ndonëse 10 vende jo-anëtare do t’u bashkohen 32 shteteve anëtare të Aleancës në këtë takim të nivelit të lartë, Kosova nuk do të jetë njëra prej tyre.
Kosova nuk do të jetë pjesë e samitit të NATO-s që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë, pavarësisht se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se 10 vende jo-anëtare do t’u bashkohen 32 shteteve anëtare të Aleancës në këtë takim të nivelit të lartë.
Një zyrtar i NATO-s ka konfirmuar për Albanian Post se Kosova do të mbetet jashtë këtij samiti.
“Institucionet në Kosovë nuk janë ftuar të marrin pjesë në Samitin e liderëve të Aleancës në Ankara”, deklaroi zyrtari i NATO-s për Albanian Post.
NATO-ja gjatë muajit qershor bëri të ditur se në vitin e ardhshëm do të bëjë reduktim të pranisë së saj në Kosovë. Misioni paqeruajtës i NATO-s është vendosur në vitin 1999, pas përfundimit të luftës.