Në Pressing po debatohet për turizmin patriotik dhe ankesat e turistëve kosovarë lidhur me çmimet e rritura për pushime në Shqipëri.
Gazetari shqiptar, Bledi Mane i cili sot ishte në qendër të vëmendjes për një koment lidhur me turistët kosovarë, ka thënë se është i pakënaqur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili sipas tij për fushatë shkon në Shqipëri, ndërkaq për pushime në Greqi.
“Jam i pakënaqur që vjen për fushatë elektroale në Shqipëri, por për turizëm ikën në Greqi”, ka thënë ai.
Analistja Zana Avdiu e ka kritikuar Manen për deklaratën e dhënë në njërin prej televizioneve shqiptare.
“Deklarata e tij ka qenë e qëllimshme, sa për të ngacmuar kosovarët, dhe ne ngacmohemi lehtë. Është një kategori që mezi presin me ndezë rrjetin. Ishte sulm i ulët dhe banal, s’ka pasë nevojë me dhënë një deklaratë të tillë për kosovarët”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, Mane ka thënë se Kosova duhet të krijojë më shumë evente që të nxis turizmin.
”Kosova duhet të prodhojë diçka, evente kulturore por edhe të ketë kulinari të mirë që të marr turistët dhe jo vetëm të marr turizëm patriotik”, ka deklaruar ai në Pressing.
Sipas Manes, Shqipëria pa Kosovën mund të mbijetojë si turizëm, por nuk fuqizohet. /GazetaExpress