Diaspora po vulos rezultatin? Aliçkaj: LVV po dominon me mbi 80%, mandatet mund të rriten në 54

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar ndarjen aktuale të mandateve në Kuvendin e Kosovës, bazuar në rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbetet forca më e madhe politike në vend.

 

Sipas të dhënave të KQZ-së, LVV ka siguruar 49 ulëse në Kuvendin e Kosovës, duke lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila renditet e dyta me 24 deputetë.

Në vendin e tretë pozicionohet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 19 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 8 ulëse.

Ndërkohë, Lista Serbe do të përfaqësohet me 9 deputetë në legjislaturën e re.

 

Sa i përket komuniteteve joshumicë, Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) ka fituar 2 mandate, ndërsa nga një ulëse kanë siguruar Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Koalicija Vakat, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Socialdemokratska Unija (SDU), Nova Demokratska Stranka, Partia Liberale Egjiptiane, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), Jedinstvena Goranska Partija dhe PSA.

LVV dominon edhe në votat e diasporës

Paralelisht me procesin e finalizimit të rezultateve, KQZ po vazhdon edhe numërimin e votave të hedhura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Sipas përditësimit të fundit, janë numëruar 27.66 për qind e votave nga diaspora, ndërsa rezultatet tregojnë një epërsi të thellë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Rezultatet aktuale në përfaqësitë diplomatike janë:

Lëvizja Vetëvendosje – 83.82%

Partia Demokratike e Kosovës – 7.49%

Lidhja Demokratike e Kosovës – 5.97%

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 1.60%

Këto shifra konfirmojnë mbështetjen e madhe që LVV po gëzon te votuesit jashtë vendit, duke krijuar një diferencë të konsiderueshme ndaj partive tjera politike.

Veprimtari Agim Aliçkaj, thotë se pa mërgatë nuk ka shqiptari.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Aliçkaj shprehet se votat e mërgatës ndonëse nuk janë dominuese, mund të jenë vendimtare për rezultatin zgjedhor.

“Pa Mërgatë nuk ka Shqiptari Mërgata e dhimbshme, por e fuqishme e Kosovës, ka qenë dhe mbetet pjesë e pandashme e rezistencës shekullore të popullit shqiptar të Dardanisë. Ata politikanë që trumbetojnë se mërgata nuk duhet të marrë pjesë në demokracinë vendore janë përçarës dhe, në njëfarë mënyre, kundër interesave të familjeve të veta. E drejta për të votuar u takon të gjithë shtetasve, pavarësisht se ku jetojnë. Kjo e drejtë nuk mund të mohohet. Mërgimtarët janë shumë më të pavarur nga partitë politike dhe politikanët duhet të gjejnë mënyra për ta fituar besimin e tyre, sepse votat e mërgatës, ndonëse nuk janë dominuese, mund të jenë vendimtare për rezultatin zgjedhor”, shprehet Aliçkaj.

ImageVeprimtari Agim AliçkajFoto galeri
Sipas tij, numri i votimit nga mërgata është më i lartë në këto zgjedhje sesa në zgjedhjet e kaluara.

Aliçkaj thkeson se nëse vazhdon ky trend numri i mandateve për Lëvizjen Vetëvendosje mund të arrijë në 54, duke ia mundësuar konstituimin e parlamentit dhe formimin e qeverisë me mbështetjen e 8-9 votave të komuniteteve minoritare.

“Numri i votuesve nga mërgata në përfaqësitë diplomatike dhe përmes votimit me postë është shumë më i madh në këto zgjedhje sesa në zgjedhjet e kaluara. Kjo vjen si pasojë e pamundësisë së shumë mërgimtarëve për të udhëtuar drejt vendlindjes jashtë periudhës së pushimeve, prandaj edhe ndikimi i tyre në rezultatin përfundimtar do të jetë dukshëm më i madh se më parë. Numërimi i këtyre votave ka filluar. Bëhet e ditur se kryeministri Kurti dhe koalicioni i tij po mbizotërojnë me më shumë se 80 për qind të votave. Nëse ky trend vazhdon, fitorja e tyre do të thellohet edhe më tej. Numri i mandateve mund të arrijë në 54, gjë që do t’u mundësonte konstituimin e Parlamentit dhe formimin e Qeverisë me mbështetjen e 8-9 votave të komuniteteve minoritare. Shtimi i mandateve për LVV-në nënkupton zvogëlimin e tyre për partitë humbëse, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në. Duket se veprimet e tyre të dëmshme, si bojkoti dhe bllokimi i pamëshirshëm i institucioneve, shkaktimi i zgjedhjeve të panevojshme, mosvotimi i ligjit për shtetësinë dhe deklaratat nënçmuese ndaj diasporës, kanë dhënë efektin e tyre. Ndëshkimi nga Mërgata duket plotësisht i merituar”, pohon veprimtari.

Ai thotë se është sinjal pozitiv që Kurti është i gatshëm të bisedojë me partitë opozitare, gjersa shton se kjo e fundit mund ta humbasë mbështetjen që ka marrë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“ Megjithatë, rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit kanë krijuar një lloj balancimi politik, gjë që jep shpresë se si fituesit ashtu edhe humbësit duhet të mendojnë seriozisht për bashkëpunim dhe për shmangien e ngërçit politik. Kryeministri Kurti ka deklaruar publikisht se është i gatshëm të bisedojë me partitë opozitare, gjë që përbën një sinjal pozitiv. Nga ana tjetër, opozita e Kosovës, e konsideruar nga shumëkush si shkaktarja kryesore e bllokadave politike, duket se mund ta humbasë së shpejti mbështetjen që ka marrë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për bllokimin e Qeverisë Kurti. Rinia, fëmijët dhe mbarë populli i Shqipërisë, së bashku me mërgatën, po ngrihen në një lëvizje të fuqishme kundër qeverisë së Edi Ramës, të cilën e konsiderojnë të korruptuar, pro-serbe dhe anti-shqiptare. Një nga thirrjet e përditshme të protestuesve shqiptarë, përveç kërkesës kryesore për dorëheqjen e Edi Ramës, është që Albin Kurti të jetë udhëheqësi i tyre. Kjo ka një domethënie të jashtëzakonshme, sepse tregon dëshirën e një pjese të madhe të popullit shqiptar për t’u çliruar nga politikanët e korruptuar dhe nga ata që konsiderohen të lidhur me interesat e Serbisë dhe shteteve fqinje. Populli shqiptar i Shqipërisë, i Kosovës dardane dhe i të gjitha trojeve etnike shqiptare në Ballkan dëshiron bashkim kombëtar. Mërgata e fuqishme shqiptare, e shpërndarë anembanë botës, është në shërbim të popullit shqiptar dhe të idealit të bashkimit kombëtar. Pa Mërgatë nuk ka Shqiptari”, përfundon Aliçkaj.