Propaganda opozitare për “gazin amerikan në Kosovë”

Nga Kujtim Zebica

Po e shesin si projekt të madh duke e quajtur “gaz amerikan”, por nuk po e tregojnë pjesën kryesore: Kosova nuk ka infrastrukturë për gaz. Nuk ka rrjet të gazit. Nuk ka interkonektor funksional. Nuk ka central me gaz. Nuk ka as treg të brendshëm të gazit. Sa kushton e për sa realizohet edhe sa do të jetë ndikimi në çmimin e rrymës.

 

Pra, nuk mundesh me thanë “e marrim gazin amerikan” dhe nesër na u zgjidh problemi i rrymës. Sepse kjo nuk ndodhë.

Për një vend si Kosova, ky është projekt që merr shumë vite. Në rastin më optimist 6-8 vite, e realisht 8-12 vite deri të bëhet diçka serioze.

 

Edhe qasja amerikane për energjinë në Kosovë nuk është aq e thjeshtë sa po e paraqet opozita. SHBA e ka mbështetur strategjinë energjetike ku përfshihen investimet në termocentralet ekzistuese, gazifikimi i linjitit, që po ashtu merr kohë, dhe diversifikimi me energji të erës, diellit e burime të tjera.

Në të njëjtën kohë, është e qartë që SHBA ka interes edhe në shitjen e gazit të saj të lëngshëm. Dhe këtu Kosova duhet ta ketë hisen e vet, patjetër.

Por jo si po proklamohet për konsum politik, me fjali të mëdha e pa llogari ekonomike e teknike.

Sepse tjetër është partneriteti strategjik me SHBA-në, e tjetër është me ia shit qytetarit si zgjidhje të shpejtë një projekt që merr vite, kushton shumë dhe nuk e ul domosdoshmërisht çmimin e rrymës.

Pyetja kryesore është: sa kushton rryma nga ai gaz?

Nëse gazi vjen si LNG në Greqi apo Shqipëri, pastaj kalon nëpër rrjete rajonale deri në Kosovë, ajo rrymë nuk del e lirë. Përkundrazi, në shumë periudha mund të dalë edhe më shtrenjtë se importi i rrymës, sidomos gjatë dimrit.

Kosova nuk duhet me e ndërtu strategjinë energjetike mbi slogane populiste. Duhet me e ndërtu mbi resurset që i ka dhe mbi llogari ekonomike.

Kosova e ka linjitin e vet dhe për gjenerim bazë të rrymës duhet me vazhdu me u mbështet aty, duke investuar në modernizim, efikasitet dhe standarde më të mira në termocentralet egzistuese.

Paralelisht, Kosova ka potencial të madh edhe për rreth 1000 MW energji alternative nga dielli, era dhe burime të tjera.

Ky duhet me qenë fokusi: prodhim vendor, siguri energjetike, çmim i përballueshëm dhe diversifikim real.

Gazi mund të diskutohet si rezervë apo për balancim. Por jo me u shit si zgjidhje magjike, veç pse quhet “amerikan”, pa tregu sa kohë merr, sa kushton dhe kush e paguan faturën në fund.