Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se veprimet e fundit të Edi Ramës janë të çuditshme dhe vështirë të kuptueshme pasi sipas tij gjithmonë e shohim në krah të Vuçiqit, duke mbrojtur Serbinë, e duke shkelur Kosovën.
Tutje ai shkruan se pas gjithë këtij kundërshtimi ndaj raportit të Dick Martzt dhe rezolutës së Këshillit të Europës, diçka po ndodh.
Sipas Salihajt kjo lojë e Ramës siç e quan ai, ka për qëllim nxjerrjen e Thaçit nga burgu dhe të vazhdohet projekti serb i lënë në gjysmë për copëtimin e Kosovës.
“E gjithë kjo retorikë patriotike dhe kjo lojë e tij mund të ketë vetëm një qëllim: nxjerrjen e Thaçit nga burgu. Asnjë qëllim tjetër nuk mund të ketë. Dhe arsyeja se përse dëshiron ta nxjerr Thaçin nga burgu është që të rikthehet ai triumfalisht në skenën politike të Kosovës. Qëllimi i fundit është të vazhdohet projekti serb i lënë në gjysëm për copëtimin e Kosovës dhe zhdukjen e saj si shtet. Pra, asnjë arsye tjetër nuk e shtyen Edi Ramën që ta bëjë një luftë kaq të madhe , gjoja për t’i ndihmuar Kosovës. Kosova, por as kombi shqiptar në tërësi, asnjëherë nuk kanë pasur një njeri të shitur kaq të paskrupullt si Edi Rama. Dhe dyshoj se do të ketë ndonjëherë”, shkruan mes tjerash në Facebook, ish zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj.
Salihaj gjithashtu thotë se nuk është në natyrën e Edi Ramës ta mbrojë Kosovën, madje as Shqipërinë, sepse ai s’e ka bërë kurrë këtë, as s’do ta bëjë asnjëherë.
Postimi i plotë:
Veprimet e Edi Ramës kohëve të fundit janë shumë të çuditshme dhe vështirë të kuptueshme. Vështirë të kuptueshme për arsyen e thjeshtë se gjithmonë jemi mësuar ta shohim Ramën në krah të Vuçiqit, duke mbrojtur Serbinë, në mënyrën më të paskrupullt; duke fyer e shkelur Kosovën, përsëri në mënyrën më të paskrupullt. Çka po ndodh tash , pra, ç’kuptim ka gjithë kjo retorikë patriotike kundër raportit të Dik Martit dhe Rezolutës së Këshillit të Europës, e cila e detyroi Kosovën ta formonte Gjykatën Speciale? Ç’kuptim ka patriotizmi i Edi Ramës, kur ai në vazhdimësi e ka një gjuhë urrejtjeje e përçmimi ndaj Kosovës dhe një admirim e mirëkuptim të pashpjegueshëm për serbët dhe Serbinë?
E gjithë kjo retorikë patriotike dhe kjo lojë e tij mund të ketë vetëm një qëllim: nxjerrjen e Thaçit nga burgu. Asnjë qëllim tjetër nuk mund të ketë. Dhe arsyeja se përse dëshiron ta nxjerr Thaçin nga burgu është që të rikthehet ai triumfalisht në skenën politike të Kosovës. Qëllimi i fundit është të vazhdohet projekti serb i lënë në gjysëm për copëtimin e Kosovës dhe zhdukjen e saj si shtet. Pra, asnjë arsye tjetër nuk e shtyen Edi Ramën që ta bëjë një luftë kaq të madhe , gjoja për t’i ndihmuar Kosovës. Kosova, por as kombi shqiptar në tërësi, asnjëherë nuk kanë pasur një njeri të shitur kaq të paskrupullt si Edi Rama. Dhe dyshoj se do të ketë ndonjëherë.
Ai e ka gjetur mënyrën se si ta nxjerr Thaçin nga burgu, duke sponsorizuar një rezolutë kundër raportit të Dik Martit, të cilën ,natyrisht se nuk mund ta kundërshtojë askush, sepse raporti i Dik Martit ishte dhe mbetet antishqiptar dhe kishte qëllim dëmtimin e Kosovës. Pra, në këtë kontest, një rezolutë e Kuvendit të Shqipërisë do të ishte vërtetë patriotike. Kundër një rezolute të këtillë nuk është askush dhe sigurisht që do të përkrahet nga të gjithë. Por, madje as një rezolutë e tillë nuk do të duhej bërë pa konsultim dhe koordinim me Kosovën, e të mos flasim se kjo po bëhet në një frymë antikosovë, e cila, në këtë kontekst, po akuzohet se ia ka ngulur Thaçit dhe UÇK-së thikën në gjoks.
Pra, Rama thotë se Kosova ia ka ngulur thikën në gjoks UÇK-së së saj, ndërsa Rama, mik i Vuçiqit, po e mbron UÇK-në nga Kosova!? Pra, shumë e çuditshme dhe e pabesueshme e gjithë kjo. Ne të gjithë e dimë se vetë Thaçi lobonte për formimin e Gjykatës Speciale dhe thoshte se kush është kundër formimit të saj, është kundër UÇK-së. Por, tash, Edi Rama, në emër të këtij patriotizmi, po mundohet ta arrij qëllimin tjetër, i cili është final: rikompletimi i treshes Rama-Vuçiq-Thaçi për ta vazhduar projektin serb të lënë përgjysmë të copëtimit dhe shkatërrimit të Kosovës. Nuk është në natyrën e Edi Ramës ta mbrojë Kosovën, madje as Shqipërinë, sepse ai s’e ka bërë kurrë këtë, as s’do ta bëjë asnjëherë. Ai ka manifestuar gjithmonë urrejtje dhe përbuzje të pafund për shqiptarët e Kosovës dhe shtetin tonë. Në natyrën e tij është përpjekja që ta dëmtojë sa më shumë Kosovën dhe ta ndihmojë Serbinë kundër interesave të kombit shqiptar.