Rritën edhe pagat për këtë kategori

Qeveria e Kosovës ka vendosur rritjen e pagës minimale në vend, e cila nga 1 korriku do të bëhet 500 euro, nga 425 euro sa është aktualisht, raporton Gazeta Minuti.

 

Rritja prej 75 eurosh pritet të ndikojë drejtpërdrejt tek mijëra punëtorë në sektorin privat dhe publik që paguhen me pagë minimale.

Përveç kësaj, ekzekutivi ka paralajmëruar edhe rritje të mbështetjes financiare për lehonat, duke ndryshuar skemën aktuale të shtesave.

Sipas vendimit, lehonat e papuna nga 1 qershori do të përfitojnë nga 500 euro në muaj për një vit rresht, ndërsa aktualisht marrin më pak.

Ndërkohë, lehonat e punësuara do të marrin 500 euro shtesë për tre muaj rresht, krahas pagës së tyre mujore.

Masat e reja po prezantohen si pjesë e politikave sociale dhe ekonomike që synojnë përmirësimin e mirëqenies së familjeve dhe mbështetjen e grave pas lindjes.

Rritja e pagës minimale dhe shtesave për lehona pritet të hyjë në fuqi gjatë muajve të ardhshëm, ndërsa detajet për procedurat e aplikimit dhe ekzekutimit të pagesave pritet të publikohen nga institucionet përgjegjëse.